TIRANE - Kryetarja e Delegacionit të PS në PE, Valentina Leskaj duke përshëndetur Rezolutën e miratuar dje nga PE, deklaroi se Rezoluta konfirmon se BE thekson qartë qëndrimet kritike në lidhje me mungesën e arritjeve të Shqipërisë.

“Qëndrimet në Rezolutën e PE-së nuk lidhen aspak me alibinë e Sali Berishës se integrimin po e bllokon opozita, por thjesht e vetëm me dështimet e vetë Sali Berishës në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian”, u shpreh Leskaj.

Më tej Leskaj theksoi se “PE identifikon si arsyet reale të bllokimit të procesit të integrimit jo opozitën, por dështimet në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në dënimin e zyrtarëve të lartë të shtetit të akuzuar për korrupsion, cënimin e lirisë së medias, papunësinë dhe varfërinë e skajshme të një numri të madh shqiptarësh dhe politizimin e administratës publike”.

Në deklaratën e saj Leskaj u shpreh se ndërkombëtarët theksojnë domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira lira e të ndershme parlamentare në vitin 2013 si një test për demokracinë shqiptare që do të përcaktojë të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe se dështimet e qeverisë Berisha nuk mbulohen me shpifje dhe akuza ndaj opozitës.

“Dështimet nuk mbulohen dot me shpifje e akuza ndaj opozitës, siç bëri Kryeministri vetëm pak më parë gjatë një konference për shtyp me homologun e tij maqedonas. Siç e ka bërë tani zakon Kryeministri deklaroi se integrimi i Shqipërisë po bllokohet nga brenda. Po, e vërteta është se integrimi po bllokohet nga brenda. Po bllokohet nga një qeveri e paaftë që nuk di të qeverisë, nga një qeveri që s’di të dialogojë me opozitën dhe një kryeministër që lë nam nëpër botë duke e shpallur opozitën armike, nga një qeveri e paaftë për të garantuar sundimin e ligjit e për të luftuar korrupsionin sepse është vetë e korruptuar”, deklaroi Leskaj.

Në konferëncën e saj për mediat deputetja socialiste nuk ka harruar të përmendë as çështjen e qarkut të Fierit duke theksuar edhe një herë se PS nuk është tërhequr nga kjo çështje pasi janë 13 vendimet të gjykatave që i japin të drejtë PS-së dhe se Kryeministri duhet t’i zbatojë.

“Kryeministri deklaroi se opozita u tërhoq nga e Fierit pasi e arriti qëllimin e saj për bllokimin e integrimit. Dëshiroj t’i kujtoj se opozita as është tërhequr e as nuk mund të tërhiqet nga çështja e Fierit sepse ka fituar zgjedhjet, ka fituar dhe gjyqet në lidhje me Qarkun e Fierit. Kjo e histori me tërheqje është shpifja e radhës e Sali Berishës për të justifikuar dështimin me integrimin duke fajësuar opozitën, në një kohë që është vetë Sali Berisha që ka marrë peng Qarkun e Fierit dhe refuzon të njohë fitoren e opozitës me votë, refuzon të zbatojë 13 vendimet e gjykatave te të gjitha shkallëve që i japin të drejtë Partisë Socialiste”, theksoi Leskaj.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)