Leskaj: Përfaqësuesit e djathtë
në KiE votuan kundër Kosovës

Leskaj: Përfaqësuesit e djathtë<br />në KiE votuan kundër Kosovës
TIRANE - Pas akuzave të Partisë Demokratike se Shqipëria nuk ka lobuar për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka reaguar deputetja Valentina Leskaj. Sipas saj votimi i Shqipërisë në Europë ka qenë i unifikuar. Leskaj thotë se përfaqësuesit e djathtë në Asamble, pjesë e së cilës është edhe Partia Demokratike, kanë votuar pro rezolutës së Serbisë dhe kundër Kosovës.

Deklarata e plotë e Leskajt

Duke marrë shkas nga deklarata keqinformuese dhe dashakeqe e Partisë Demokratike lidhur me Rezolutën për Kosovën në Këshillin e Europës, në vijim edhe të deklaratës së përbashkët të dy delegacioneve parlamentare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Asamblenë Parlamentare në KiE, dëshiroj të sqaroj se:

Përgjegjësia dhe bashkëpunimi për këtë rezolute ka filluar shumë kohë para mbledhjes së Asamblesë, në takimet me ambasadorin e Kosovës në Tiranë dhe më pas, me disa takime konsultuese me kryetarin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, zotin Haliti dhe me gjithë delegacionin nga Kosova, me qëllim bashkërendimin e qëndrimeve dhe përpunimin e një veprimi  të përbashkët ndaj rezolutës.

Edhe në Strasburg, të dy delegacionet kanë pasur një bashkëpunim intensiv, të frytshëm dhe produktiv, duke qartësuar së bashku qëllimet, qëndrimet dhe amendimet ndaj kësaj rezolute.

Dëshiroj të nënvizoj se rezoluta në tërësinë e saj, por sidomos përfundimet e saj sjellin zhvillime pozitive për Kosovën, sepse kërkohet qartë, ngritja e nivelit të marrëdhënieve të Këshillit të Europës me Kosovën dhe  formatit të delegacionit që do e përfaqësojë atë në Asamble.

Në zbatim të kësaj rezolute, sot në mëngjes, Byroja e Asamblesë së Këshillit të Europës, ku unë bëj pjesë, mori vendimet përkatëse për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të KiE me Kosovën.

Ky zhvillim pozitiv për Kosovën, e cila është në një proces anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare, nuk mund të zbehet e as të shtrembërohet nga interesa të politikës së ditës.

Sa i takon lobingut, për të cilin aludon deklarata e Partisë Demokratike, dëshiroj të informoj publikun se qëndrimi i grupimit politik, të cilit unë i përkas, ka qenë shumë i qartë në mbështetje të interesave të Kosovës, si me opinion, ashtu edhe me votën e shprehur në Asamble.

Në të kundërtën, përfaqësuesit e të djathtës në Asamble, pjesë e së cilës është Partia Demokratike, si në shprehjen e opinioneve, ashtu edhe në votimin ndaj rezolutës nuk përkuan me qëndrimin e delegacionit të Shqipërisë dhe të Kosovës ndaj rezolutës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksident në  aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur

Aksident në aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur