Kjo letër lejohet të lexohet prej të gjitha instancave. Qofshin ato inteligjente ose jointelegjente.

I dashur Komandant, Sami

Duke qenë se shoqërinë tonë e ka mbërthyer një paranojë kolektive se mos po përgjohemi nga EULEX'i, vendosa të të drejtohem në këtë mënyrë, me një letër të hapur.

Mbes me shpresë që gazetat nuk t'i kanë ndaluar t'i lexosh në burg administrata e Dubravës, sepse po të jetë kështu do të mund ta ngritnim ketë çështje tek Ministria e Drejtësisë, gjithmonë me kujdes të shtuar se mos po e pengojmë në çfarëdo mënyre procesin.

Mbes me shpresë që kjo letër nuk do të shihet prej autoriteteve ndërkombëtare, por edhe prej atyre vendore, si presion mbi drejtësinë në ndonjë farë mënyre.

Dhe sidomos mbes me shpresë që përveç teje, ketë letër do ta lexojë personi i dytë më i rëndësishëm në ketë proces, prokurori italian Mauricio Salustro.

Edhe ashtu, kur ti ishe në liri, ishe i vetmi me të cilin flisnim hapur, edhe në telefon. Madje publiku para disa muajsh ishte njoftuar gjerë e gjatë se sa ti kurseje mendimet tuaja për të tjerët kur flisje në telefon.

Unë besoj, se njëri prej armiqve kryesor që ti kishe - ishe ti. Kurse rrethin e dytë të armiqve tuaj e përbënin miqtë tuaj.

Ti për një kohë të gjatë u pate shndërruar në një rrufepritës për gjithë krahun e luftës dhe gjithë Partinë Demokratike të Kosovës.

Nëse vidhej në qeveri, thoshin njerëzit e Samisë. Kur dikush kërcënonte, thoshin njerëzit e Samisë. Kur dikush e merrte një tendër, thoshin njerëzit e Samisë, vëllezërit e Samisë, farefisi i Samisë.

Ty në fakt të donin vetëm brenda komunës së Skenderajt. Mundësisht brenda mureve të odës, edhe atë vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve.

Ti duhej të qëndroje larg prej bashkësisë ndërkombëtare, sepse sipas miqve tuaj, ti ishe i pagdhendur dhe i pagdhendshëm, i pasofistikuar dhe i pasofistikueshëm dhe i pareformuar dhe i pareformueshëm.

Thjeshtë, aq gjatë sa është propaganduar për ty, edhe sikur fjalë të mira të kishin qenë do të të bënin zarar.

Pra, sipas miqve tuaj, ti ishe i rrezikshëm. Kurse sipas armiqve tuaj, ti ishe i dëmshëm. Së këndejmi ti bëheshe edhe i rrezikshëm, por edhe i dëmshëm.

Prandaj, ti pothuajse asnjëherë nuk ke qenë pjesë as e party've dhe as afterparty've të pështira, ku kryesisht përgojohen miqtë dhe armiqtë - kryesisht miqtë.

Komandant, ngadalë-ngadalë po bëhet një muaj prej kur ti u ndave fizikisht prej nesh. Kur të arrestuan koha/moti, siç e din edhe vet, ka qenë shumë depresiv. Normalisht jo për shkak tëndin, sa për shkak të ndryshimeve globale klimatike. Ka qenë ftohtë dhe binte një shi i madh. Nuk e di si është moti andej kah Dubrava, por në pjesën tjetër të Kosovës ka ardhur stina e verës me të gjitha fuqinë e mundshme.

Nuk mundem të të gënjej se të konsideroj mik të mirë: kemi filluar të mendojmë ngapak edhe për pushimet verore. Ti edhe më tutje mbetesh temë e bisedave, mirëpo ka ardhur duke u rrudhur numri i njerëzve që flasin për ty.

Për shkak të presioneve, e për shkak të frikës prej konsekuencave personale - paranojë më shumë se sa frikë - për ty kanë filluar që të flasin në parim. Pra jo më për Saminë, e Sylën, e Sahitin, si ish bartës të luftës, por po flitet për standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Nga Berat Buzhala