Letra e Kotzias për Hahn, Idrizi:
Çështja çame nuk ka kthim pas

Letra e Kotzias për Hahn, Idrizi:<br />Çështja çame nuk ka kthim pas
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi ka reaguar pas letrës që kryediplomati grek, Nikos Kotzias i dërgoi komisionerit të BE, Johannes Hahn, për të korrigjuar deklaratën lidhur me çështjen Çame. Sipas Kotzias, kjo çështje nuk ekziston.  
 
Por përmes një deklarate për mediat, Shpëtim Idrizi deklaron se tashmë çështja Çame nuk ka kthim pas dhe se ajo do të ekzistojë sa të ketë frymën shqiptari i fundit.  
 
"Ju kam deklaruar një herë, njëqind herë, njëmijë herë: çështja çame do të ekzistojë derisa të ketë jetë e frymë dhe shqiptari i fundit, nip e stërnip Çamërie. Këtij krimi nuk i fshiheni dot me kërcënime e gjuhë vulgare. Ne jemi shqiptarë të Çamërisë, jemi Evropianë dhe si të tillë do të sillemi, por më besoni dhe kjo është besë shqiptari: Kthim mbrapa kjo çështje nuk ka!", u shpreh Idrizi.  
 
Deklarata e plotë e Shpëtim Idrizit
Kam ndjekur me habi deklaratën aspak diplomatike të kryediplomatit të Athinës komisionerit Hahn dhe refuzoja të besoja që një gjuhë e tillë e mbushur plot më sharje, kërcënime e pohime flagrante të shkeljeve të drejtave të njeriut, ishin pjesë e një letre zyrtare që përfaqësuesi i diplomacisë së një vendi antar i Bashkimit Evropian i drejtonte Komisionerit për Zgjerim Johanes Hahn.
 
Jam i bindur që komisioneri nuk ka as nevojë dhe as pritshmëri që ne të shkruajmë kundërpërgjigje për shkresa të tilla, të denja për një pasardhës të Napoleon Zervës dhe jo të një ministri shteti anëtar të BE-së, por “Unë jam shqiptar i Çamërisë dhe jam Evropian”, ndaj kam detyrimin t’i përgjigjem arrogancës dhe arbitraritetit të fqinjit tim, që vazhdon të lajë duart e gjakosura nga krimi i Makbethit.
 
Kotzias deklaron se Greqia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë çështjen çame. Cilin kapitull nuk njeh, atë të shpërnguljes me dhunë të 90% të popullsisë  shqiptare të Çamërisë, të ekzekutimit e torturimit mes tyre të mbi 20% burrave, grave dhe fëmijëve, që renditet si një masakër e lemerishme e një akt i pastër gjenocidial. Kjo do të thotë që xhelati ka duart e pastra dhe se së bashku me qeverinë e djeshme dhe të sotme greke keni vendosur t'ia lani e t’ia terni duart me gjak? A e mohoni dot që ky është akt gjenocidi dhe shkelje e të drejtave të njeriut dhe Evropa ka lindur mbi këtë themel juridik e shpirtëror?
 
Apo akoma më tepër vrasjet makabre në Follorinë, Kostur, Panarit, Borsh, Korçë, Devoll e kudo ku ka shkelur ushtria greke? Apo presionin dhe dhunën e ushtruar ndaj vëllezërve tanë shqiptarë që mbijetuan në Greqi pse i përkisnin një besimi tjetër, por me kushtin që të mos deklaronin botërisht kombësinë e tyre, që nuk u lejohet edhe sot?
 
Cilin kapitull nuk njihni atë të shpërnguljes me dhunë, të heqjes së nënshtetësisë, prerjes së rrënjëve të një breznie të tërë popullate çame. A e dini që unë sot nuk kam të njëjtën shtetësi me gjyshin tim, nuk kam shtëpinë dhe tokën e babës tim, dhe kjo është shkelje flagrante e të drejtave të individit?
 
Më së fundi ku e gjen kurajon të tregosh historinë Europiane sipas tekës e shtrëngimit politik të fundit zoti ministër? Ku ta çoj gjakun e të parëve të mi që luftuan si antifashistë dhe u ekzekutuan nga kolonitë ndëshkimore Zerviste, për tu vrarë e rivrarë nga një soj i pacipë që edhe sot e vesh krimin me pushtet dhe viktimat i lënë pa varr.
 
Ju kam deklaruar një herë, njëqind herë, njëmijë herë: çështja çame do të ekzistojë derisa të ketë jetë e frymë dhe shqiptari i fundit, nip e stërnip Çamërie. Këtij krimi nuk i fshiheni dot me kërcënime e gjuhë vulgare. Ne jemi shqiptarë të Çamërisë, jemi Evropianë dhe si të tillë do të sillemi, por më besoni dhe kjo është besë shqiptari: Kthim mbrapa kjo çështje nuk ka!
 
Dalja mbrëmë e njoftimit te letrës (por jo përmbajtja e letrës), që Ministri i Jashtë Kotzias i nisi komisionerit Hahn, u bë në vigjilje të vizitës së Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në Greqi, si për të kompleksuar vizitën. Unë uroj dhe jam besimplotë që z. Meta, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, së bashku me delegacionin shumë ngjyrësh që e shoqëron të mbajë qëndrime të qarta për çështjen çame si detyrim i Rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë dhe në vijimësi të qëndrimit të tij në Athinë në vitin 2001 në cilësinë e Kryeministrit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë