Letra e Lesit për Ministrin
e Brendshëm, Bujar Nishanin

Lidhja Demokristiane Shqiptare
LDK
Adresa: Rr. “S. Frashëri”.
Pall. Aviacionit Nr.4

TIRANE

Tiranë, 20/12/2011
Nr.___ prot

Drejtuar: Zotit Bujar Nishani
Ministër i Brendshëm

Për dijeni: Zotit Bamir Topi,
President i Republikës

Zotit Sali Berisha,
Kryeministër i Shqipërisë

Zoti Ministër!

Po ju shkruaj në cilësinë e një qytetari të Republikës, të kryetarit të një partie politike në koalicionin bashkëqeverisës (LDK) dhe natyrisht edhe të zv.ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në lidhje me disa mesazhe fyese dhe kërcënuese për mua personalisht dhe në drejtim të familjes time, mesazhe të cilat janë të regjistruara në telefonin tim. Me lejoni t’ju vë në dijeni se dje kam depozituar një kallëzim penal për këtë ngjarje në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pres zbardhjen e autorit të këtyre kërcënimeve serioze nga një numër shqiptar Vodafone dhe konkretisht numri 0692026969.
Siç mund të jeni në dijeni, unë, në cilësinë e zv.ministrit, me lejen e ministrit, zotit Aldo Bumçi, me numër shkrese prot. 5644, datë 29 shtator 2011, jam në Britaninë e Madhe në një specializim disamujor. Por jam kthyer urgjent ditën e diel nga Britania e Madhe në Tiranë për të kërkuar ndihmën e shtetit, pasi personi me numrin e telefonit të sipërcituar rezulton nga hetimet e mia personale të jetë i një personi me emrin Fatos Thanas Nano, ish-kryeministër. Natyrisht që do të jetë prokuroria që do të hetojë e sqarojë saktësisht se kujt i përket ky numër, porse më lejoni t’ju them paraprakisht se këtë numër përdor sot shtetasi Fatos Nano. Mesazhet, siç ju shkrova pak më sipër, janë të regjistruara me datë, orë dhe sekondë në aparatin e telefonit tim, të cilin e përdor në Angli, ku jam për specializimin në fjalë. Mesazhet nga ky numër, pra zotit Nano, janë jashtëzakonisht fyese e kërcënuese, aq sa nganjëherë hezitoj të mendoj nëse mundet që dhe vagabondi më i poshtër në Shqipëri nuk do të guxonte t’i thoshte me fjalë, e jo më t’i shkruajë ato. Unë prandaj jam kthyer urgjent, pasi besoj te shteti im, te ligji dhe tek Drejtësia që duhet të penalizojë çdo nënshtetas apo vagabond të këtij lloji që guxon të kërcënojë, shantazhojë dhe të mendojë se mund t’i bëjë keq familjes së një qytetari. Unë, zoti ministër, kam pasur probleme të hapura politike, publike e ligjore me këtë njeri që quhet Fatos Nano, të cilin dikur, kur pushteti i parë i zotit Berisha e arrestoi, për mua padrejtësisht, e kam ndihmuar me shpirt dhe më është djegur gazeta ‘Koha jonë’ nga segmentet e pushtetit të asaj kohe më 3 mars 1997 vetëm e vetëm se përkrahja këtë person me emrin Fatos Nano.

Zoti Ministër!
Jam i detyruar t’ju bëj disa sqarime si më sipër apo edhe pak më poshtë, pasi ka nevojë që të kuptoni rrezikshmërinë e këtij personi ndaj meje dhe familjes sime. Nuk e kam për kënaqësi të zgjatem në këtë histori problematike me këtë person, por më duhet që Ministria e Brendshme të marrë masat e duhura ligjore pas kësaj kërkese time zyrtare, e cila dëshiroj të mos bëhet publike. Historia e ripërtëritjes së konfliktit me zotin Nano ka lindur para disa ditëve, kur unë, përveçse respektoj detyrat e mia ligjore në specializim, mbetem edhe kryetar i një force politike që funksionon edhe në largësi, pra edhe në Angli. Kam punuar dhe do të punoj, sipas bindjes time se zoti Nano nuk mund të zgjidhet kurrsesi as edhe kandidat zyrtar për President Republike, e jo më të votohet nga Parlamenti ynë. E them këtë, pasi, me sa duket, zoti Nano e ka marrë vesh se unë po loboj kundër kandidaturës së tij për President Republike, gjasa të cilat edhe duken se janë zero, porse përsëri ai shpreson. Është një e drejtë e tij të hamendësojë apo të shohë ëndrra, apo të keqpërdoret nga qarqet politike e në fund ta hedhin jashtë sallës ku votohet. Kjo gjë, siç kam të drejtë edhe unë të hamendësoj pas këtyre mesazheve kërcënuese të tija të javës së kaluar, e ka egërsuar zotin Nano dhe e ka bërë të harrojë dhe të mos kontrollojë vetveten. Mund ta them këtë gjë, zoti ministër, sepse një ditë më pas, të premten e javës së kaluar, në ora 12 e gjashtë minuta të drekës me orën angleze, ai më ka dërguar një SMS ku më thotë, ndër të tjera, se “të kërkoj falje, pasi dikush ka përdorur telefonin tim për të fyer dhe kërcënuar ty”. E përkthyer në gjuhën time të konflikteve me këtë person, të cilat janë të njohura nga publiku, do të thotë se ai e ka kuptuar gabimin që ka bërë duke më nisur SMS, të cilat fatmirësisht ruhen dhe lehtësisht nga prokuroria do të vërtetohen, dhe duke ditur reagimin tim, ka gjetur një mënyrë spostimi të goditjes time ligjore, pra se gjoja dikush tjetër ia ka marrë telefonin e tij dhe më ka kërcënuar. Nuk është çudi që prokuroria të arrestoje shoferin e tij, pasi zoti Nano do të thotë se “ka qenë shoferi”!
Zoti Ministër!
Unë nuk njoh as shoferin, as rojën e tij dhe askënd tjetër përreth Fatos Nanos që të kem konflikt apo përplasje. Unë njoh vetëm një njeri me emrin Fatos Nano, ish-kryeministër, që më ka kërcënuar dhe, nëse Drejtësia nuk reagon, apo Ministria e Brendshme nuk merr masat e duhura ndaj këtij kërcënimi, i cili do të jetë shumë finok, pasi siç vepron mafia dhe siç e ka pohuar dikur zoti Berisha, se ky person është kupola e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri; atëherë do të jem i detyruar të mbrohem vetë. Por kjo nuk do të jetë shenjë e mirë për qytetarët, të cilët shpresojnë te shteti ligjor.

Zoti Ministër!
I bëra këto shpjegime, ndonëse mund të duken se ka politikë brenda, porse unë njeri politik jam dhe me politikë merrem, dhe se nga këto qëndrime të miat politike kundrejt zotit Nano ndër vitet 2003-2005 dhe tani që ai ëndërron për President Republike, pra nga këto arsye më vijnë këto kërcënime për jetën, për mua dhe familjen nga personi me numër telefoni 0692026969.

Përfundimisht, zoti Ministër, unë do të vazhdoj të kërkoj nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë që ta hetoj këtë kallëzim penal të bërë dje, dhe nëse e vonon nga lojëra politike, atëherë unë do të jem i detyruar të braktis specializimin tim në Angli dhe të kthehem këtu, në Tiranë, edhe për betejën e radhës së fundit me zotin Fatos Nano për ta çuar, siç ka deklaruar publikisht në mitingjet e vitit 2005 Kryeministri Berisha, “në pension përfundimtar politik”, ndonëse kemi bërë faj si maxhorancë që ia zgjasim daljen në pension. Por kërkoj nga Ju që të merrni masat e duhura ligjore, siç e ka ligji në të tilla raste, ku konfliktet, nganjëherë përfundojnë në hakmarrje konkrete fizike, tamam siç vepron mafia e rajonit.
Unë nuk dua të shkel ligjin, pasi paguhem të zbatoj ligjin, dhe nuk mendoj kurrsesi t’i them personit në fjalë atë që zakonisht thonë në Veri, se “po cenove familjen apo t’u bësh keq, siç bën mafia, atëherë ka vetëm një zgjidhje: plumbin në lule të ballit dhe në mes të Tiranës”.
Unë jam njeri i ligjit dhe respektoj vetëm atë dhe Kushtetutën, ndaj merrni masat, pasi kërcënimi është konkret, me regjistrim që nuk ka Zot ta fshijë dhe po nga një person konkret që nuk është trim, por ka “trima” pas vetes, edhe në Angli.

Edhe njëherë ju falënderoj, zoti Ministër, dhe mbetem në pritje të marrjes së masave ligjore nga dikasteri juaj, pasi, momentalisht jam akoma edhe zv.ministër, përveçse qytetar i këtij shteti.

Me respekt
KRYETARI
Nikoll Lesi

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë