Një nënë shqiptare ka vendosur të ndajë publikisht historinë e djalit të saj transgjinor, duke treguar mundimet, paragjykimet dhe forcën për t’i qëndruar pranë fëmijës së saj. Kjo letër i është drejtuar Aktivistes Xheni Karaj, e cila e bën publike për Shqiptarja.com.

***

Mbrëmë, gjatë një emisioni televiziv, mora mesazh nga nëna e një djali transgjinor. Për shkak se u ndërpreva gjatë leximit, nuk arrita ta përcillja të plotë. Sot po e ndaj me ju këtë mesazh kaq të bukur e frymëzues.

Fëmija im lindi vajze para 21 vitesh, jetoi për shumë vjet i trysnuar brenda një trupi që nuk i përkiste, por jam e lumtur që gjeti më në fund guximin dhe forcën shpirtërore të jetojë ashtu si ai ndjehet, një djalë tashmë i lirë nga presioni shoqëror.

Ne fillim edhe unë si produkt i kësaj shoqërie stereotipe u shokova, u shqetësova, u stresova kur dëgjova që fëmija im donte të ishte djalë. Kisha lindur, rritur dhe bërë ëndrra për vajzën time 15 vjet të tëra. Ishte e tmerrshme për mua kur mendoja gjithë vështirësitë që duhej të kalonte familja, por sidomos ai vetë me një shoqëri transfobike. Ishte gjithashtu e tmerrshme ta shihja të vuante për atë që ndjente dhe s’mundej të ishte. Fillova të kërkoj, të lexoj, të studioj se ç’thoshte biologjia dhe shkenca për një fëmijë të tillë, që ka lindur në një trup të huaj.

Në çdo hap e më thellë ndjeja me empati dhimbjen që fëmija im kalonte ditë për ditë, kur shihte veten në pasqyrë dhe donte ta thyente, frikën e tij në këtë ambient urrejtjeje rreth e rrotull që e quanin një gabim të natyrës, një përbindësh, një qenie që duhet zhdukur, vrarë, denigruar, që s’ka asnjë të drejtë. Diku aty, mes këtyre, zemërimi im ndaj shoqërisë arriti kulmin. Ndjenja e padrejtësisë dhe instinkti për t’u bërë mburojë për atë krijesë që unë vetë e solla në jetë më bëri ta përqafoj edhe më fort, të thyej e të ha me dhëmbë barriera të paimagjinueshme, të bëhem një shtyllë e fortë për të. Ky a nuk është misioni ynë si prind në këtë jetë? Të jemi krah tyre pa kushte, me dashuri dhe mbështetje sa dhe kur të na kenë nevojë?

Kush është prind më kupton: misioni ynë në jetë është të duam fëmijët tanë pa kushte, t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë me gjithë shpirt, pa vënë në dyshim identitetin e tyre gjinor apo orientimin e tyre seksual, të cilët nuk janë as kapriço, as fazë që do kalojë, as modë. Të gjitha këto i kam dëgjuar rëndom nga njerëz të painformuar, dhe ju drejtohem atyre: më thoni pak kush është ai njeri që në adoleshencë do të zgjidhte të ishte i përjashtuar nga shoqëria, i bullizuar, i ofenduar, i denigruar, i pështyrë, i goditur dhe i depresuar aq fort nga të gjitha këto sa të dojë t’i japë fund jetës në moshën më të bukur të tij? Kush?

Sa e dhimbshme dhe e padrejtë është për mua si nënë të dëgjoj nga njerëz publikë se fëmija im, ai që ka kaluar një ferr shpirtëror për të qenë vetvetja me çmimin më të lartë që ekziston, mund të jetë rrezik dhe të “infektojë” identitetin gjinor të dikujt tjetër, sikur të ishte një mikrob?

Një kërkesë kam për ju personat publikë: fuqinë tuaj të fjalës ta përdorni me përgjegjësi. Është detyrim i juaji të informoheni para se të prononcoheni për çështje që nuk i njihni, si identiteti gjinor. Por sidomos një lutje kam: kujdes gjuhën e urrejtjes ndaj fëmijëve tanë që vuajnë diskriminim shoqëror. Sikur të mendonit se sa dëm u bëni njerëzve si fëmija im, jam e sigurt që do ta mendonit për herë të dytë. Dhe mos harroni: në këtë jetë kemi ardhur të japim e të marrim dashuri nga fëmijët, jo t’i shtyjmë ata drejt dëshpërimit të pashpresë.