Letra e të arratisurit në ’85-ën, nga Chicago për Amnesty International: Po ju dërgoj ditarin tim, për tmerret e 2000 të dënuarëve të Spaçit

Letra e të arratisurit në ’85-ën, nga Chicago për Amnesty International: Po ju dërgoj ditarin tim, për tmerret e 2000 të dënuarëve të Spaçit

Burgu i Spaçit

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kaso Hoxhës, ish-të dënuarin e burgut të Spaçit i cili pas lirimit në vitin 1985, mundi të arratisej nga Shqipëria dhe pas një qëndrimi në kampin e Llavrosit në Greqi, fitoi azilin politik për në SHBA ku dhe jeton aktualisht. Çfarë thuhet në korrespodëncën e tij në fundin e vitit 1985-së me degën e Amnesty International në Londër, lidhur me ditarin që ai kishte mbajtur gjatë kohës së vuajtjes së dënimin në kampin famëkeq të Spaçit, cilët ishin disa nga të dënuarit që ai kishte njohur aty dhe emrat e policëve që i torturonin ata?! Kush ishte Dilaver Hasa dhe pse pas arratisjes së tij nga Shqipëria dhe qëndrimit për disa vjet në Suedi, ai u rikthye në Shqipëri ku i dënua me 20 vite burg? Çfarë shkruhet në ditarin e Kaso Hoxhës për Dilaverin dhe bisedat që ai bënte me të gjatë kohës që punonin bashkë në minerat e burgut të Spaçit, përse disa shqiptarë të arratisur politik si Kipe Avdiu nga SHBA-ja, Zenel Spahiu nga Franca, Sabri Kodra nga Gjermania, etj., u rithyen në Shqipëri, si e gjeti Kaso Hoxha mërgatën shqiptare politike në SHBA të përçarë nga agjentët e Sigurimit të Shtetit nga Tirana dhe miqësia me shkrimtarin e njohur Bilal Xhaferi, të cilën ai gjeti pa jetë në spital dhe fjala që mbajti në funeralin e tij?!

 E nderuara zonja Andersen. Mora letrën tuaj dhe që në fillim po ju siguroj për sa më shkrojtët, se jam i gatshëm për t’ju dhënë materialet faktike dhe ditarin tim nga burgu më i zi mbi globin tonë, 303 Spaç. Kjo është detyra morale e çdo njeriu të ndershëm për të denoncuar para opinionit publik botëror se ç’po ndodh me të vërtetë në Shqipëri dhe cila është fytyra e vërtetë e Socializmit të Enver Hoxhës, i këtij vrarësi të popullit Shqiptar. Unë do t’ju dërgojë menjeherë ditarin tim që me shumë vështirësie kam nxjerrë nga Shqipëria. Do të dëshiroja që ky ditar, të shihte dritën e botimit, kjo nuk është vetëm dëshira ime, por e gjithë shokëve të mi që rrojnë me shpresë në errësirën e përjetëshme të qelive të Spaçit dhe të Burgut të Burrelit, ky është dhe amaneti i shokëve të vrarë nga plumbat e Enver Hoxhës”. Kështu thuhet ndërmjet të tjerash në letrën e shqiptarit Kaso Hoxha dërguar nga Chicago në fundin e dhjetorit të vitit 1985, zonjës, Melanie Andersen, sekretares së Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (Amnesty International) me degë në Londër.

Po kush ishte Kaso Hoxha, cila ishte origjina e tij, në ç’rrethana ishte dënuar ai, sa vite vuajti në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe si mundi që të arratisej nga Shqipëria për në Greqi në vitin 1985, ku pas një qëndrimi për disa kohë në kampin e Llavors-it, fitoi azilin politik për në SHBA, ku jeton aktualisht me familjen e tij?! Lidhur me këto dhe shumë e shumë ngjarje të tjera nga historia e dhimbëshme e jetës së tij, që nga fëmijria, puna e jeta e vështirë në fshatin ku ai lindi dhe u rrit në skajin më jugor të vëndit, poezitë e para të shkruara me urrejtje për regjimin, si u zbuluan ato dhe arrestimi i tij, vuajtja e dënimit në burgun e Spaçit, cilët ishin disa nga të burgosurit që ai njohu dhe punoi me ta, lirimi dhe arratisja nga Shqipëria, korrespodenca me organizatën Amnesty International e degës së Londrës, jeta dhe puna në SHBA ku emigrantët politik shqiptar i gjeti të përçarë nga “agjentët e Tiranës”, miqësia e tij me shkrimtarin e njohur  Bilal Xhaferin dhe si e gjeti atë pa jetë në spital…?! Për të gjithja këto etj., Kaso Hoxha ka shkruar një libër në katër vëllime, (në dorëshkrim), të cilin ia ka besuar për botim, mikut dhe bashkëvuajtësit të tij, Qani Beqo Sadikut, i konsideruar si një nga heronjtë e qëndresës antikomuniste në burgjet e Shqipërisë së Enver Hoxhës, i cili ia dhuroi ato fillimisht Memorie.al, që do i publikojë pjesë pjesë duke filluar nga ky shkrim

                              Letra e Amnesty International me degë në Londër, për Kaso Hoxhën

 Amnesty International                    17 December 1985

INTERNATIONAL SECRETARIAT

1 Esation Stret London WC1X 8 DJ

United Kingdom                       Our reference MA LS 85                      

                                      Direcet line

I ndershëm zotëri Hoxha

 

Ju falemnderit shumë për hollësitë mbi të burgosurit politikë që na keni dërguar. Ju falenderoj dhe për intervistën rreth kohës që keni kaluar si i burgosur politik në Spaç.

Informatat që na keni dhënë janë shumë të çmueshme.

Sikur e dini, Amnesty International punon për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave njerzore në mbarë botën. Një ndër detyrat kryesore të organizatës është përhapja e informative mbi padrejtësitë e dhunimit të të drejtave njerzore, si përshembull, njoftimi mbi njerzit të cilët burgosen sepse kanë ide politike të cilat ndryshojnë nga idetë politike të regjimit, njoftime mbi tortura dhe mbi ekzekutime.

Raporti i Amnesty International mbi Shqipërinë (të cilën e keni marrë), është bazuar në njoftime dhënë nga persona si Ju të cilët kanë pësuar vetë burgosje për arsye politike. Një raport si ky nuk mund të hartohet pa ndihmën e njerëzve të tillë. E vërteta është se raporti nuk është i plotë, pasi ne kemi gjetë punë shumë të vështirë mbledhjen e informative të sakta e të hollësishme mbi fatin e të burgosurve politikë në Shqipëri. Kemi shpresë se me kohë do të mund të nxjerrim një raport më të gjatë me anë të cilit bota e jashtëme do të jetë në gjëndje të marri vesh më mirë mbi fatin e të burgosurve politikë në Shqipëri. Prandaj ju lutemi na dërgoni ditarin (ose një kopje) që keni mbajtur në Spaç, si dhe listën me më tepër se njëqind të burgosurve mbi të cilët keni njoftime.

Edhe një pikë tjetër: një fletore Suedeze ka shkruar mbi një Shqiptar të quajtur Dilaver (Alfonso), Hasa. A keni njoftë këtë njeri në Spaç? Në qoftë se po, a mund të na shkruani mbi të.

Kolegu im, Dina Couroucilis dhe unë, Ju urojmë fat të mirë në jetën e re që keni nisë.

Të fala

Melanie Andersen

Reaserch Departament

P.S. Ilia Leka na ka dhënë adresën e juaj në Amerikë.

……………………………………………………………………………………………………………………………

Letra e Kaso Hoxhës nga Çikago për Amnesty International në Londër

 Amnesty

International                              Chicago më 30.12.1985                       

                 International secretariat

 

                 Zonjës Melanie Andersen

 E nderuara zonja Andersen

Mora letrën tuaj dhe që në fillim po ju siguroj për sa më shkrojtët, se jam i gatshëm për t’ju dhënë materialet faktike dhe ditarin tim nga burgu më i zi mbi globin tonë, 303 Spaç. Kjo është detyra morale e çdo njeriu të ndershëm për të denoncuar para opinionit publik botëror se ç’po ndodh me të vërtetë në Shqipëri dhe cila është fytyra e vërtetë e Socializmit të Enver Hoxhës, i këtij vrarësi të popullit Shqiptar.

Nuk është budallallëk dhe guxim i tepruar pse denoncon dhe thua të vërtetën se ç’po ndodh në Shqipëri e si vepron populli i thjeshtë (kazmaxhiu). Por më budallallëk është të jesh frikacak e të heshtësh ashtu siç veprojnë shumë pseudopatriotë, duke menduar se do të kenë telashe me agjentët e Tiranës. Enver Hoxha ja ka arritur bukur shumë qëllimit duke përçarë popullin, duke e hedhur vëllanë kundër vëllait, si brenda vëndit, ashtu edhe emigracionin që ndodhet jashtë, duke e çuar më shumë urrejtje, duke vrarë njeri tjetrin, duke tradhëtuar njëri tjetrin.

Bindjet e mia politike janë diametralisht të kundërta me të gjithë ata patriot që s’janë xhveshur nga lëvozhga e nacionalistit të rëndomtë që kërkon të ringjall hasmëritë dhe grindjet ndër nacionale në Ballkan dhe Evropë. Unë kam qenë dhe do të mbetem luftëtar i paqes dhe i demokracisë, duke qenë gjithmonë me të renë, me progresin.

Epoka  jonë duhet të jetë epoka e ngjarjeve të mëdha historike. Ne jemi brezi që hartës së Ballkanit t’i heqim vijat me të cilat është coptuar, vija që kanë qenë shkak grindjesh dhe gjakderdhjesh. Vetëm kështu duke gatuar një Ballkan të bashkuar, ku Greku të rrojë me Grekun, Sllavi me Sllavin dhe Shqiptari me Shqiptarin. Vetëm kështu mund të ketë siguri dhe paqe, vetëm kështu mund të mbrohet demokracia dhe paqja, vetëm kështu mund të ketë përparim ne këtë vënd të prapambetur të kontinentit tonë me qytetërim të lashtë.

Unë do t’ju dërgojë menjeherë ditarin tim që me shumë vështirësie kam nxjerrë nga Shqipëria. Do të dëshiroja që ky ditar, të shihte dritën e botimit, kjo nuk është vetëm dëshira ime, por e gjithë shokëve të mi që rrojnë me shpresë në errësirën e përjetëshme të qelive të Spaçit dhe të Burgut të Burrelit, ky është dhe amaneti i shokëve të vrarë nga plumbat e Enver Hoxhës.

Në këtë ditar nuk është biografia ime, por biografia e Spaçit të gjakosur, është biografia e 2000 të burgosurve që torturohen me punë të rëndë në thellësitë e zeza të minerës varr të Spaçit. Gjithashtu unë kam edhe një përmbledhje me poezi të shkruara në Spaç, poezi për shokët e vrarë, në qoftë se i doni, më shkruani që t’jua dërgoj, njëkohësisht kam të shkruara pjesë nga jeta e shokëve të mi.

Sa për Dilaver Hasën,  pata fatin ta njoh fare mirë, dhe prej tij mësova shumë gjëra me vlerë për Botën. Po ju dërgoj një kopje të ditarit që bën fjalë vetëm për Dilaver Hasën.

Do t’ju dërgoj gjithashtu listën e të burgosurve që kam njohur personalisht pa hollësira.

Më shkruani çfarë pjesë ju intereson nga ditari që t’ua dërgoj

Ju uroj shëndet juve familjarisht

Dhe shokëve të t’u të punës

Të fala me respekt Hoxha Kaso

Nuk e di në mund të më ndihmoni të gjej adresën e fëmijve të mij në Shqipëri. Sepse e di që i kan internuar në kampe përqëndrimi. Por që mua nuk më lejon Qeveria Shqiptare që të kem korrespodencë ose t’i ndihmoj financiarisht.

vijon nesër

 (Në numrin e ardhshëm do të publikojmë letrën e gjatë të Kaso Hoxhës, dërguar Amnesty International me degë në Londër, lidhur me historinë e panjohur të Dilaver Hasës me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë, i cili pasi u arratisur nga Shqipëria në moshën 22 vjeçare fillimin e viteve ’70-të dhe u vendosur si emigrant politik në Suedi, pas disa kohësh, u rikthye përsëri në Shqipëri, ku dhe u dënua me 20 vite burg politik, një pjesë prej të cilave i vuajti në burgun e Spaçit. Ne letrën e tij të gjatë, Kaso Hoxha rrëfen se si e ka njohur Dilaver Hasën në burgun e Spaçit, si punonte ai, me kë shoqërohej, kush ishin policët që e torturuan, çfarë bisedash bënte ai me të, dhe cilat ishin arsyet që e detyruan Dilaverin të kthehej përsëri në Shqipëri, pas premtimeve që i kishte dhënë ambasada shqiptare në Stockholm, se ai do të lihej i lirë dhe nuk do të dënohej?! Po kështu, në letrën e tij të gjatë dërguar Amnesty International me degë në Londër, Kaso Hoxha, rrëfen edhe për misterin e disa të arratisurve të tjerë nga Shqipëria, që pasi kishin fituar statusin e azilanit politik në shtete të ndryshme të Europës, ashtu si dhe Dilaver Hasa, u rikthyen në Shqipëri, si p.sh.: Zenel Spahiu me gjithë vëllanë e tij që erdhën nga Franca, Kipe (Rakip) Avdia nga SHBA-ja, Sabri Kodra nga Gjermania etj.)/Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë