Malli dhe dashuria për të takuar njerëzit e dashur e bën karantinën dhe vetizolimin më të vështirë për t'u përballuar. Namik Dokle, gjysh i një nipi dhe mbese, e ka marrë malli për to duke iu dedikuar një status mjaft emocionues dhe të ndjerë.
Sara dhe Rubeni janë vetëm në shtëpi, pasi mami dhe babi i tyre janë në vijën e parë të frontit të luftës me koronavirusin në Itali, duke u kujdesur për pacientët e infektuar. Për këtë, gjyshi Namik shprehet se shumë shpejt çdo gjë do të marrë fund dhe jeta do i rikthehet normalitetit, dhe ata do të vijnë me pushime sërish në Shqipëri dhe të hanë pica e tavë krapi në vendet e tyre të preferuara të mbushur me plot kujtime të bukura dhe të paharruara.
Statusi i plotë i Namik Dokles
MIREMENGJES, SARA DHE RUBEN!
Ndoshta akoma nuk jeni zgjuar, por gjyshi nuk duron me gjatë për t’u përshëndetur. E di që jeni mërzitur; u bë më shumë se një muaj që nuk dilni, nuk shkoni në shkollë, nuk takoheni me shokët dhe shoqet, dhe, kryesorja, nuk takoni dot mamin dhe babin, sepse ata vazhdojnë punën në spital, përpiqen të shpëtojnë të sëmurët. Epo, mirë, të paktën flisni në skajp, apo jo?
Por mos u mërzitni! Mami Manjola dhe babi Arviti, bashkë me mijëra mjekë të tjerë, në Itali dhe në botë, do ta mundin coronavirusin dhe sëmundjen e mallkuar. Dhe ju...do të vini përsëri me pushime në Shqipëri, do shëtisim bashkë e do hamë pica te Pazari i ri, bashkë me nana Qefseren dhe daja Belin, do shkojmë në Shkodër të hamë tavë krapi me nana Hyrin, do shkojmë përsëri në bjeshkët e Gores të shihni fshatin e gjyshit, pastaj do zbresim poshtë, në Prizren e do pimë ujë te çezma e Shadrivanit.
Thonë se kush pi atë ujë fatsjellës nuk e zë asnjë sëmundje. Pastaj do të shkojmë përsëri në Sarandë, do zhytemi në ujërat e Jonit, ndërsa në mbrëmje, do shikojmë perëndimin e diellit. Ja, edhe pak, edhe pak dhe do ta fitojmë këtë luftë! Dhe Ju do të jeni krenarë për mamin dhe babin që u përkushtuan aq shumë për jetën e njerëzve!
Ju puc shumë, shuuuumë!
Njeriu ne i paster nga Politikanet qe nuk vjedhe.... Respekte rrofsh sa Malet..
Përgjigju