TIRANE - Një ditë pas publikimit të letrës që bashkëpunëtori i tij, Spartak Braho u dërgoi institucioneve të larta ku sinjalizonte se po kërkohet kryqëzimi i Ilir Metës, kreu i Kuvendit ka shfaqur siguri përballë mediave.
"Nuk kemi kompetencat e zotit Braho ne…Me qetësi e dashuri mund t’ju them që origjina ime e fortë malore nuk më shqetëson nga asnjë lloj intrige moçalore", tha Meta.
I ndodhur prej kohësh nën shënjestrën e demokrateve për përfshirjen në të ashtuquajturat afera korruptive në CEZ, Meta gjen kontradiktat mes qëndrimeve të selisë blu dhe nismës ligjore të dërguar në Kuvend një ditë më parë, por pohon se do të mbështesë hetimin ndërkombëtar.
“Janë dy gjëra të ndryshme ajo që ka kërkuar i pafajshmi Basha dhe ajo që ka kërkuar zoti Berisha. Unë kam mbështetur kërkesën e zotit Berisha për hetim ndërkombëtar nga dita e parë që ka ardhur CEZ deri sot që flasim bashkë. Basha ka kërkuar diçka tjetër, ka kërkuar mos hetim ndërkombëtar. Kur unë them po kjo punë ka mbaruar, ju e dini mirë dhe e di edhe doktori”, tha Meta.
Pak përpara komunikimit me gazetarët, Meta është shfaqur në një prej hoteleve të Tiranës në një tryeze me aleatin më të ri të së majtës, kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi.
"Problem do ishte mos takohemi jo të takohemi…"-tha Meta.
Ndonëse nuk ka asnjë informacion zyrtar, kryetari i Kuvendit paraditen e kësaj të marte është takuar me kreun e shtetit, Bujar Nishani, shume prej dekreteve te te cilet jane rrezuar nga mazhoranca ne Kuvend.
E nëse flitet për seancë, Meta ka dhënë arsyet pse në vend të tij, javën e kaluar punimet i ka drejtuar zëvendëskryetarja, Valentina Leksaj.
"Sigurisht që do të jem, herën e kaluar mungova se isha sëmurë nga një virozë, që ma ngjiti një koleg i nderuar, që nuk dua t’ia përmend emrin tani."- tha Meta.