Letra për Ramiz Alinë në 1976/ Si u pushua nga puna nëndrejtori dhe 20 gazetarë të ATSH

Letra për Ramiz Alinë në 1976/ Si u pushua nga puna nëndrejtori dhe 20 gazetarë të ATSH

Foto ilustruese

Publikohet sot raporti sekret i datës 22 janar të vitit 1976, mbi ngjarjen e rëndë në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, si dhe shënimi i Ramiz Alisë për dënimin e nëndrejtorit dhe pushimin nga puna të 20 gazetarëve e zëvëndësmin e tyre nga klasa punëtore. Raporti është pjesë e librit të Dashnor Kaloçit, “Shkrimtarët e artistët nën diktatin komunist”. Ishte sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Sotir Kamberi, ai që denoncoi te Ramiz Alia, gjithçka ndodhte në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, e cila asokohe drejtohej nga Fiqri Vogli si drejtor dhe Nasho Nathanali, si nëndrejtor.

Nisur nga rëndësia tepër e madhe që kishte ai institucion politiko-informativ i propagandës së regjimit komunist, dokumenti në fjalë duket se paraqet mjaft interes, gjë e cila duket edhe nga shënimet që ka vënë aty Ramiz Alia, lidhur me problemt që u kishin shkatuar udhëheqjes dy drejtuesit kryesor të saj?!

Pjesë nga raporti sekret

Pjesë nga raporti sekret

Kryesisht nëndrejtori, Nasho Nathanaili, i cili tregonte anekdota me zarar kundër “shokëve të udhëheqjes”, dhe gjithashtu vinte në lojë kuadro të tjerë të lartë të institucioneve të propagandës, siç ishte Radio Televizioni Shqiptar. Dhe kjo gjë duket se i ka kushtuar shtrenjtë Nathanailit, ndaj të cilit udhëheqja e lartë dhe vetë Ramiz Alia, morën “masat përkatëse” duke mos bërë asnjë lëshim ndaj tij. Për më shumë rreth “problemit ATSH”-së dhe drejtuesëve të saj, na njeh dokumenti sekret të cilin po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE shokut Ramiz Sekret

KOMITETI I PARTISE Ekzemplar Nr 1

TIRANE

Nr. 100. Prot. Tiranë, më 22/1/ 1976

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

TIRANE

Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi gjëndjen në ATSH”

SEKRETARI I K.P. TIRNANES

(Sotir Kamberi)

INFORMACION PER GJENDJEN NE ATSH.

Byroja e Partisë së rrethit të Tiranës më datën 23.12.1975. shqyrtoi raportin e Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.3 “Mbi gjëndjen në organizatën e Partisë në ATSH“. Raport ky i kontrollit punëtor dhe i ekipit të Komitetit të Partisë së rajonit. Në byronë e Partisë së rrethit u thirr Byroja e Partisë e institucionit, sekretarët, e organizatave bazë të Partisë dhe shokët e drejtorisë.

1- Organizata bazë nuk ka qënë në rolin e saj udhëheqës e drejtues. Vëmëndja e organizatës është spostuar nga problemet themelore politike e ideologjike në thashetheme , në sulme karshi njeri-tjetrit në diskutime të gjata dhe boshe. Në organizatë ka pasë mbytje të kritikës. Autokritikë nuk kish se nuk jepnin shëmbull as byroja e as kuadrot. Byroja dhe kolegjiumi thuajse përbëhej nga të njëjtët njerëz. Kështu që byroja spostohej nga kolegjiumi . Në organizatën bazë të Partisë dhe në kolektiv ka pasë thashetheme, grindje, e përçarje deri në krijimin e tarafefe. Një palë në krah të drejtorit Fiqiri Vogli dhe një palë në përkrahje të Nasho Nathanailit. Shumë i dobët ka qënë kontrolli dhe kërkesa e llogarisë për zbatimin e vendimeve si ndaj komunistëve ashtu dhe ndaj drejtorisë. Organizata e Partisë nuk ka thirrur asnjëherë në raport administratën apo sektorët për të njohhur gjëndjen dhe për të përcaktuar detyra. Jo vetëm kaq por byroja është bërë ortake me kolegjiumin duke bërë mbledhje të përbashkëta ku drejtonin dhe i jepnin konkluzionet drejtuesit e institucionit. Është nënvleftësuar organizata e Partisë pasi problemet qoftë ato themelore të institucionit, qoftë ato të fërkimeve midis drejtorit Fiqiri Vogli e zëvëndësdrejtorit Nasho Nathanaili nuk zgjidheshin në organizatë por jashtë saj dhe poshtë e përpjetë ka munguar debate ideologjik në organizatë. Kjo ka ndodhur se ka pasë oportunizëm e liberalizëm. Kuadrot në vënd të jepnin llogari vinin në dukje meritat e tyre. Punonjës të veçantë janë shprehur se karakterin kombëtar ATSH-ja e ka marrë me ardhjen e Fiqiri Voglit mendim të cilin Fiqiriu nuk e ka kundërshtuar.

2- Ka munguar vigjilenca lidhur me shfrytëzimin e shtypit të huaj. Duke mos punuar sa duhet në drejtim të edukimit politik e ideologjik të kuadrit për t’u sqaruar atyre orientimet e Partisë dhe kriteret bazë për përdorimin e literaturës së agjensive të huaja të shtypit borgjezo-revizionist për hartimin e lajmeve tona dhe për kundërpropagandën, e duke mos ushtruar kontroll të rreptë e të vazhdueshëm në këtë pra, kanë ndodhur kopjime të lajmeve të agjensive revizioniste dhe të shtypit revisionist sovjetik si nga revista “Krasnaja Zvezda” e të

tjera. Këto fakte nuk janë bërë problem i organizatës në kohën e duhur dhe për rrjedhim nuk janë marë në kohë masa për t’i prerë rrugën këtyre veprimeve.

3- Organizata bazë e Partisë dhe drejtoria nuk janë shqetësuar dhe të qëndronin ndaj shprehjeve e shakave të karakterit politik e me përmbajtje armiqësore të cilat sipas diskutimeve të komunistëve janë thënë nga Nasho Nathanaili, por që janë vlerësuar si shaka: “Sot jepet skifter kafeja“, (fjala për një delegacion kinez),“tani që shkoi Presidenti, shpëtoi Peshkopia“, “sot jep pritje mbreti” (për shokun Haxhi Lleshi), “të mos nxijmë të kaluarën, se do na qeshin dynjaja” është fjala një lajm se në rrethin e Sarandës sot janë 6 farmaci nga një që ish në të kaluarën. “Rita Marko me që nuk doli në gazetë, shkoi dhëndëri dhe e nxorri në televizion”. Kur shoku Rita Marko priti një delegacion. Shprehje të tilla janë përhapur dhe nga të tjerë si; “po të shkosh pas udhëheqjes, ç’mëndesh“, “në Jugosllavi jetohet më mirë“,“në kohën e Zogut gazeta shpërndahej me aeroplan”. Këto thënie qarkullonin në redaksinë e brëndshme por janë përhapur dhe në redaksinë e jashtme. Është e qartë se përgjegjësia për këtë gjëndje të sëmurë rëndon në radhë të parë mbi organizatën bazë e byronë e saj e mbi dy kuadrot kryesorë: Fiqiri Vogli e Nasho Nathanaili. Fiqiri Vogli në vënd që të nxirrte konkluzione e detyra për këtë gjëndje herë insiston se ay nuk është fajtor, se ay ka punuar dhe luftuar për rregull e ka kërkua llogari, herë justifikohej se ay ka qenë për një kohë i sëmurë dhe nga kjo kanë përfituar elemnetë ngatrrestar pë të krijua përçarje.

Me kontrollin që u ushtrua në ATSH me konkluzionet, masat dhe detyrat e lëna gjëndja natyrisht ka fllua të ndryshojë, por me ngadalë, mbas duke flluar që nga drejtori dhe komunistët të tjerë, nuk kanë qenë plotësisht dakort me konkluzionet, bile, Mersin Seitaj, i kundërshtoj ato duke hedhur poshtë faktin që atje ka pasur dy tarafe etj.

Komiteti i Partisë i Rajonit Nr. 3 ka marrë këto masa:

1. Ju dha vërejtje në kartën e regjistrimit Fiqiri Voglit dhe u vendos që t’i propozojë nomenklaturës përkatëse për ta qakulluar.

2. Nasho Nathanailit ju dha vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit dhe u largua jashtë rrethit të Tiranës.

3. U vendos që të largohen nga ATSH 19 veta nga të cilët 10 anëtarë partie si ngatërestarë që merreshin me thashetheme. Tre kuadro u dërguan në prodhim si intrigandë.

4. U dërguan disa me e kuadro pa parti me prejardhëje punëtore.

5. Të forcohet kolegjumi, në të futen dhe një numër punëtorë të jashtëm.

Byroja e Komitetit të partisë pasi analizoi pë gjëndjen në dt. 23.12.1975 mori këto masa:

1. Duke qenë se anëtarët e byrosë të partisë nuk kanë luftuar me vendosmëri kundër kësaj gjëndje të sëmurë në ATSH dhe se nuk kanë marrë masa të shpejta, për të ndryshuar gjëndjen u vendos të shkarkohet e gjithë Byroja dhe të bëhe zgjedhje të Byrosë, ku të vinë komunistë të pa kompromentuar e me prejadhje punëtorë.

2.Nasho Nathanaili, ish zëvëndësdrejtor, Byroja kërkoi që të thirret dhe të thellohet masa ndaj tij. Për këtë u thirr nga Komiteti i Partisë së së Rajonit dhe më 29.12.1975 u përjashtua nga partia pë këto arsye:

Si zëvëndësdrejtor në ATSH mban përgjegjësi pë gjëndjen e sëmurë e pëçarjen e krijuar. Në redaksinëe brendëshme të cilën e ndiqte direkt ka pas ç’thurrje, liberaizëm, thashetheme, intriga, shipfje, shprehje banale, nderim allazogiste e deri parrulla armiqësore. Ka mbajtur qëndrim mospërfillës e përçmues ndaj njerëzve e kuadrove. Është përpjekur t’u imponojë organizatës mendimet e veta, është bërë shkakëtar i prishjes së unitetit në organizatë dhe në kolektiv. Nuk ka kërkuar llogari. Është marrë me thashetheme, ka krijuar tarafe, ka marrë nëpër gojë kuadro duke thënë se; “ju hap goja Dritëro Agollit”, “foli ai qafleshi”, për Veiz Lelon, etj.

Ka përdorur thënie me karakter politik dhe armiqësor

2. Me që akoma disa kuadro që është vendosur lëvizja e tyre nuk janë larguar, u vendos që brenda 15 janarit 1976, të përfundojnë lëvizja e tyre dhe sjellja e elementëve të rinj.

3. U vendos që t’i propozohet nomeklaturës përkatëse që Fiqiri Vogli të shkarkohet nga detyra e drejtorit, pasi ai mban përgjegjësi për gjëndjen e rëndë të krijuar në ATSH. Është treguar mëndjemadh, hakmarrës dhe përkrahës i tarafeve. Problemet në vënd që t’i zgjidhte në organizatë, e ka spostuar atë duke u përpjekur t’i zgjidhë jashtë saj. Ka lejuar që të bjerë vigjëlenca e të lejohet raste të kopjimit të literaturës së huaj. I ka munguar vigjelenca për t’i kapur e bërë problem, parrullat armiqëësore.

Me gjithë kritkat dhe thirrjet që i bëri Byroja e Partisë e Tiranës për të kuptuar dhe vlerësuar gabimet, ai nuk bëri autokritikë të shëndoshë e më shumë vuri në dukje meritat e tij, duke shprehur hapur se ai nuk ish dakord me qëndrimet që mbaheshin ndaj tij.

4. Duke qenë se punonjësit e ATSH ndodhen për çdo çast nën presionin e ideologjisë së huaj, Byroja porositi që të forcohe puna e organizatës së Partisë dhe e drejtorisë për edukimin ideologjik të punonjësve dhe sidomos puna për aftësimin e kuadrove të reja që kanë ardhur në ATSH.

Tiranë, më 20.I.1976 SEKRETARI I K. P. TIRANES

(Sotir Kamberi)

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja