Letra prekëse e lamtumirës së Papës
së tërhequr: Kam nisur udhëtimin drejt Shtëpisë

Letra prekëse e lamtumirës së Papës<br />së tërhequr: Kam nisur udhëtimin drejt Shtëpisë<br>
Massimo Franco ka shkruar dje për Corriere della Sera, lidhur me letrën e ardhur në redaksinë e gazetës italiane nga Papa i dorëhequr Benedikti i XVI-të.

Edhe pse me fjalë të pakëta, Papa ka bërë të ditur se ndodhet në fazën e fundit të jetës së tij dhe se tashmë ka nisur udhëtimin e pelegrinazhit drejt shtëpisë.

Shkrimi i plotë i autorit

Letra mbërriti me urgjencë dhe dorazi dje në mëngjes në selinë e gazetës Corriere della Sera në Romë, nga «Monastero Mater Ecclesiae, V-120 Città del Vaticano», manastiri brenda Mureve të Shenjta ku Papa i tërhequr Benedikti i XVI qëndron që kur dha dorëheqjen, saktësisht pesë vjet më parë. Por dukej sikur kishte ardhur nga një botë tjetër, shumë më e largët se kilometrat e pakët që shënojnë distancën fizike prej atij vendi. Ndoshta sepse zarfi kishte një karton të përthyer, dhe brenda një tjetër zarf të dyllosur, me një mesazh prej nëntë rrjeshtash, por mbitëgjitha sepse përçonte fjalë të forta, të vërteta, jo formale: një gjest vëmendjeje ndaj personave të shumtë, që kohët e fundit pyesnin gjithnjë e më shumë se si ishte “Papa Benedikti”, si e jetonte atë që ai vetë e quante në tekst, “kjo periudhë e fundit e jetës time”.

Kanal i rezevruar

Përpara disa ditësh, nëpërmjet një kanali konfidencial, ia kishim drejtuar atij këtë pyetje, me besimin se do të merrnim një përgjigje. Pas pesë vitesh kur ishte thuajse zhdukur nga horizonti publik, duke takuar vetëm pak miq, dhe duke i rralluar madje edhe shëtitjet e tij nëpër kopshtet e Vatikanit, me asistencën e një ndihmësi, ndoshta mendonte se e kishin harruar. Nuk e dinte se figura e tij mbetet shumë e pranishme, me veçorinë epokale të një periudhe në të cilën bashkëjetojnë “dy Papë”, një shprehje jo fort ortodokse por më të cilën u mësuam. Madje, misteri i ditëve të tij pa jehonë publike, me shfaqje gjithnbjë e më të rralla në ndonjë ceremoni në të cilën ftohej nga Françesku, ja rafinuan dhe gjithashtu zmadhuan profilin.

Firma me dorë

Benedikti është i pranishëm. Madje ndoshta është rrënjosur në kujtesnë e opinionit publik pikërisht sepse u përpoq të zhdukej në një strehë ekzistenciale për t’ia lënë të gjithë skenën pasardhësit të tij, kardinalit  Jorge Mario Bergoglio “që e ka kaligrafinë më të vogël se timen”,  tha dikur Joseph Ratzinger. Por shkrimi i tij me pendë mbi letër, tashmë është fare i vogël: thuajse është zvogëluar së bashku me energjitë e tij fizike, duke theksuar madje edhe vështirësinë për të shkruar. Rrëfejnë se privatisht ai e thotë me njëfarë trishtimi: nuk arrin më që t’u kushtojë kohë të mjaftueshme teksteve të një finese të madhe teologjike që kanë shënjuar për vite të tëra rrugëtimin e Kishës katolike. E megjithatë e pranon brishtësinë e tij. Në fjalët e tij, që janë një falenderim dhe njëkohësisht thuajse një leje për t’u larguar, kjo vihet re qartë në disa raste.

Pesë vite më pas

Referimi i “rënies së ngadaltë të forcave fizike”, rrëfimi se është “brendësisht në pelegrinazh drejt Shtëpisë”, me të madhe, dhe “faleminderit” për “lexuesit e shumtë” të Corriere-s që vazhdojnë të pyesin për të, janë fjalë të pakëta dhe të matura, por që përçojnë një thellësi të madhe. Ndoshta për admirimin dhe për njëfarë nostalgjie për Benediktin e XVI-të që ndihet aty-këtu në sketoret e botës katolike trauma e patretur ende mirë e dorëheqjes së tij, më 11 shkurt 2013, që shënoi një kthesë epokale. Por është edhe mirënjohja e një sjelljeje shembullore mes tij dhe papa Françeskut gjatë këtyre pesë viteve. Një bashkëjetëse e parregulluar nga ansjë ligj; që i është besuar vetëm karakterit të këtyre dy personazheve kaq të ndryshme.

Dy Papët

Nuk ishte e thënë që “dy Papët” në Vatikan të arrinin të ruanin një personalitet kaq të ndryshëm, pa u mbivendosur dhe pa përçuar mesazhe ndarjeje. Në rast se kishte mosmarrëveshje, ato kanë mbetur një sekret i fshehur mes tyre, sikur të dy ta dinin se gjëja e rëndësishme ishte të përpiqeshin të ruanin bashkimin e Kishës së përshkuar nga mijëra tensione. Është një shenjë force shpirtërore dhe përunjësie, që bëhet edhe më sublime kur, ai u drejtohet atyre që vazhdojnë të interesohen për të dhe përshëndet me një ton thuajse familjar: “S’mund të bëj gjë tjetër veçse të falënderoj”.

s.k/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501