Letrat anomime, Minarolli:
I njoh dy autorët

Letrat anomime, Minarolli: <br />I njoh dy autorët
Një letër e hapur në emër të një grupi kineastësh, pa emra të nënshkruar poshtë saj, është shpërndarë në media pas incidentit që ndodhi mes regjisorit Ilir Harxhi dhe drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarollit. Gjatë këtyre ditëve jemi përpjekur të informohemi nëse grindja ka ardhur prej shkualifikimit në konkurs të projektit filmik të paraqitur nga Harxhi apo ka ndonjë shkak tjetër. Në Shqiptarja.com janë shprehur rreth këtij debati, jo vetëm autorët e konfliktit, por edhe kryetari i bordit të jurisë zoti Teodor Laço, i cili ka thënë se juria e ka skualifikuar Ilir Harxhin ngaqë nuk i plotësonte kriteret artistike. Konflikti që nisi me zemërimin e njërit prej humbësve në konkurs, duket se ka nxitur konflikte të mëtejshme mes disa regjisorëve dhe producentëve dhe vetë drejtorit të QKK-së Artan Minarollit, konflikt që pason me akuza edhe për vetë bordin drejtues që ka QNK. Nëpërmjet letrës së hapur ata kanë shprehur pakënaqësi për normat e reja që Minarolli ka vënë në këtë institucion. Ndërsa Minarolli akuzohet për korrupsion, letërshkruesit ndër të tjera shkruajnë se “në qoftë se doni të luftoni korrupsionin filloni me personat që punojnë në stafin tuaj e që kanë punuar në filmat e juaj Z. Minarolli”. Shpesh citohet se ai ka “dëshirë për të financuar miqtë dhe bashkëpunëtorët”. Gjithashtu, kryetarin e QKK-së e akuzojnë edhe se nën drejtimin e tij “Vendimet e bordit janë bërë gjithnjë në bazë të klientelizmit dhe të miqve. Kjo është arsyeja që çdo film shqiptar që financohet nga QKK nuk çan dot në konkurse filmi apo në festivale.”, siç argumentojnë ata. Ka dhe akuza të tjera për abuzimet me financat e shtetit, për të cilat jemi munduar të zbulojmë se nga ç’bazë janë nisur.
Në këtë intervistë me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli mësojmë se disa prej akuzave janë të bëra nga dy persona që ai i njeh mirë dhe që u janë prekur interesat, por nuk dihet nëse do të vijojë ende konflikti që ka nisur mes drejtorit të QKK-së dhe një grupi kineastësh?

Z. Minarolli, duket se nuk është hera e parë që drejtohen ndaj jush letra të hapura (një vit më parë ka ndodhur apo jo?) që megjithatë mbeten të nënshkruara anonimisht. A kanë lidhje këto letra njëra me tjetrën?
-Po e kanë bërë edhe herë tjetër. Këto letra anonime i bëjnë dy persona të cilët unë i njoh mirë. Ata kanë aplikuar, herë njëri dhe herë tjetri, në QKK për film të shkurtër dhe dokumentar dhe nuk kanë fituar. Herën e fundit njëri prej tyre u skualifikua sepse nuk kishte dëshmi për edukim ne fushën e filmit. Kjo është një kërkesë për aplikantët e filmit të shkurtër që është vendosur kohët e fundit në rregulloren e brendshme të QKK. Kohët e fundit është vënë re një fenomen shumë armiqësor nga këta tipa konkurruesish. Këta lloj aplikantësh kujtohen që të “kritikojnë” me agresivitet, tone fyese dhe me inskenime banale, vetëm kur marrin vesh që nuk kanë fituar në konkurse filmash. Askush nuk prononcohet në periudha të ndërmjetme për një debat konstruktiv në shoqatat e tyre dhe për të sjellë propozime konkrete për mbarëvajtjen e QKK. Çdo gjë kthehet në luftë agresive mediatike, ku kryesisht dirigjojnë këta lloj tipash. Prandaj, si përfundim, këto shpifje anonime, apo kritika vulgare mediatike, janë të ngarkuara emocionalisht si pasojë e rezultateve të konkurseve.

Ç’mendoni për autorësinë e tyre?
-Deri tani këta njerëz nuk kanë arritur të realizojnë ndonjë vepër kinematografike. Sipas shkrimit anonim dhe adresës elektronike ata pretendojnë për kinemanë e re shqiptare, por deri më sot nuk kanë arritur ta dëshmojnë këtë gjë.

Në letër ka akuza se keni vendosur norma të reja absurde në QKK. A ka reforma ky institucion dhe ku konsistojnë këto. Cilat prej tyre kanë nxitur akuzën?
 - Është fjala vetëm për rregullin e ri që kërkon që aplikantët e filmit të shkurtër të kenë mbaruar një shkolle filmi. Për ata tingëllon absurde ky rregull sepse nuk e kanë këtë, ndërsa për ne dhe për një pjesë të mirë të kineastëve është shume logjike. Arti kinematografik nuk bën përjashtim nga fushat e tjera, siç janë mjekësia, arkitektura, inxhinieria etj, ku aplikantët nuk mund të punësohen apo të kërkojnë fonde publike pa pasur diplomë në fushat përkatëse. Këtë kriter u detyruam ta vendosim sepse kohët e fundit u vu re një degjenerim në disiplinën e filmit artistik. Amatorët që nuk e kanë fare idenë e filmit u sulën me babëzi dhe me presion drejt QKK duke ulur shumë nivelin e aplikimeve dhe duke kthyer në kaos parimet bazë të kinematografisë. Kjo ka sjellë edhe shpifjet mediatike që janë pasqyruar kohët e fundit.

Ka akuza që ju financoni dhe mbështesni miqtë dhe bashkëpunëtorët tuaj dhe nuk kryeni procedura ligjore transparente, ku ndër të tjera ju thuhet të mos ndaloni regjisorët me ose pa diplomë, por t’i testoni profesionalisht ata?
 - Nuk favorizoj askënd, janë ata vetë që me punën e tyre krijojnë besim tek Këshilli i Miratimit të Projekteve. Konkurrenca në art është shumë e fortë. Rruga për sukses është gjatë. Por disa persona që s’kanë lidhje me këto ligjësi quajnë fajtor gjithë botën; Këshillin, QKK dhe mua personalisht. Rregullat e konkurseve janë të qarta, ato janë një për të gjithë. Do të fitojnë gjithnjë më të pasionuarit, që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm. Nuk çahet rruga në art me letra anonime.
QKK nuk është institucion testimi. Fondi publik nuk mund të përdoret për të testuar apo provuar individë të paarsimuar në këtë fushe. QKK, këta tre vjetet e fundit, për të ndihmuar në përgatitjen e profesionisteve të kësaj fushe, me kërkesë nga Akademia e Arteve, ka ndihmuar me financime modeste temat e diplomave në Degën e Regjisë së Filmit.

A ka persona që paguhen për monitorimin e qendrës dhe që mbajnë poste në projektet e financuara nga vetë QKK, siç shkruhet në letër?
 - QKK kontrollohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërsa ajo vetë kontrollon (supervizon) projektet e kontraktuara. Ne e kemi për detyrë të ndjekim hap mbas hapi realizimin e projekteve artistike, si shpenzohen fondet publike dhe sa realizohet niveli artistik që i është besuar çdo projekti nga Këshilli i Miratimit të Projekteve. Prandaj kjo detyrë e punonjësve të QKK është manipuluar me keqdashje nga anonimet.

Ju thuhet se mbani një drejtor ekzekutiv pa diplomë përkatëse, siç është Arben Lami dhe se duhet të ndryshoni stafin joprofesinist. Cili është roli i Lamit në drejtim?
-Z. Arben Lami është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik që është ajo e duhura për postin që mban. Ai, si dhe pjesëtarët e tjerë të stafit, janë shumë të specializuar në menaxhimin e projekteve kinematografike dhe i supervizojnë të gjitha projektet filmike të kontraktuara nga QKK me profesionalizëm. Akuza që bëhen nga anonimet sigurisht janë manipulime të qëllimshme.

Akuzoheni se vendimet e bordit janë berë në bazë klientelizmi, ndaj nuk fitojnë filmat e QKK-së në konkurse filmi ose festivale. Pse nuk ka shumë filma fitues?
-Këshilli i Miratimit të Projekteve zgjidhet nga shoqata e kineastëve dhe është organizëm i pavarur. Ai është i vetmi organ vendimmarrës. Unë nuk bëj pjesë dhe nuk ndërhyj në vendimmarrjen e anëtarëve të këtij Këshilli. Siç u mundova të shpjegoj më sipër, kriteri i vërtetë në përzgjedhjen e tyre është puna dhe suksesi i gjithsecilit. Detyra ime është që të siguroj mbarëvajtje e QKK sipas ligjit “Për Kinematografinë” dhe rregullores së brendshme të QKK. Ndërsa, përsa i përket vizionit tim për drejtimin e këtij institucioni, unë e kam shpallur atë publikisht që kur kam filluar të bëj këtë detyrë. Në terma të përgjithshme unë e ka orientuar QKK kryesisht në promovimin e kinemasë Shqiptare në botë dhe krijimin e hapësirave për koproduksionet filmike, duke pasur gjithnjë në vëmendje brezat e rinj. Për këto arsye ne jemi anëtarësuar në Eurimages, ku janë financuar deri tashti 2 filma artistikë të gjatë – vepër e parë, në SEE Netëork, ku janë financuar për periudhën e zhvillimit disa filma të gjatë dhe të shkurtër artistikë. Gjithashtu jemi anëtarësuar në European Film Promotion, ku aktorë dhe producentë shqiptarë janë promovuar në shumë vende të botës. Rezultatet e filmit shqiptar janë imprersionuese në qarkullim ndërkombëtar. Ata kanë marrë shumë çmime dhe janë pritur shumë mirë nga publiku shqiptar.

Një pjese e akuzave mbarten tek mënyra e financimit dhe abuzimi me fondet e QKK-së. A mund të na e bëni me transparente për lexuesin tonë mënyrën si funksionon marrëdhënia financiare e qendrës se filmit?
-QKK është një institucion transparent. Si detyrim nga Ministria e Financave, ne i publikojmë online shifrat e financimeve për të gjitha gjinitë e filmit dhe festivaleve dhe aktiviteteve të tjera ne fushën e kinematografisë. Prandaj, për cilindo që është i interesuar, është e thjeshtë të monitorojë menaxhimin e fondeve të QKK-së.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza