Firma e parë, Alpine, ashtu si edhe në rastin e segmentit Levan-Vlorë, është një subjekt austriak i angazhuar në infrastrukturën rrugore shqiptare nëpërmjet pjesëmarrjes të Fahri Balliut, botuesit të "55"-ës, shumë i afërt me qarqet qeveritare. Cilësia e punimeve të saj ka lënë për të dëshiruar në të gjitha veprat që ka marrë përsipër të ndërtojë, kryesisht si pasojë e përdorjes së nënkontraktorëve që kanë pak përvojë në ndërtime inxhinierike, të tilla si mbikalimi i Kamzës apo autostradat e Vlorës dhe Tepelenës.
Pagesat
Problemi me pagesat ka shoqëruar për vite me rradhë ndërtimin e segmentit nga Levani në Tepelenë. Parregullsitë në likuidimin e faturave sipas ligjit kanë shkaktuar jo rrallë edhe protesta. Këto janë vënë re ndërmjet banorëve të zonës, por edhe në gjirin e punonjësve të ndërtimit. Të parët kanë vënë në dukje, me të drejtë, se, në përputhje me ligjin në fuqi, nuk mund të fillojnë punimet në infrastrukturë, pa u dëmshpërblyer me parë pronarët e pasurive të patundshme që dëmtohen nga kalimi i një rruge. Në fakt, gjatë gjithë kohës, është vënë re se pagesat janë bërë ose më shumë vonesë, ose nuk janë bërë ende. Në rastin e dytë, protestues nga punonjësit e firmave nënkontraktore kanë bërë të ditur për opinionin se pagat e tyre vonoheshin nga tre deri në dhjetë muaj. Qeveria shqiptare duket se është treguar e parregullt, madje edhe për të disbursuar fonde që i kishin dhënë institucione financiare ndërkombëtare për ndërtimin e rrugës, ndërkohë që ajo kishte detyrë financiare vetëm shpronësimet.
Por, ditën kur kryeministri ka shkuar vetë për të prerë shiritin për një pjesë të rrugës, qeveria është kujtuar të bëjë një pagesë të rradhës, një këst të detyrimeve të saj ndaj privatëve, për të shmangur ndonjë situatë, që mund të prishte festën e kryeministrit, nga ndonjë protesues që nuk kishte marrë lekët për tokën e zënë apo pagën për punën e kryer. Kështu, Berisha mundi ta priste qetësisht shiritin dhe të anatemonte opozitën si penguese të realizimit të kësaj vepre, që ai premtoi, kur erdhi në pushtet, se do t'ia ndryshonte gjurmën.
OBJEKTET E MARRA NGA KOMPANIA E BALLIUT
Në të dy rastet e përfshirjes së kompanisë austriake Alpine Mayreder në realizimin e objekteve të infrastrukturës, qeveria ka miratuar shtesa në financimin paraprak. Rasti i parë ishte ai i rritjes së kostos së rrugës nga Levani në Vlorë me 18 milionë euro të tjera, shumë që iu argumentua ndërkombëtarëve me nevojën për shtesa për stabilizantin, që ishte harruar, llogaritje të gabuara të bëra më parë nga Drejtoria e Rrugëve, apo rritja ëe paparashikuar e nivelit të lumit Vjosa, që kishte nxjerrë jashtë loje këmbët e urës së re. Këto argumentime, ndonëse u miratuan nga BERZH dhe BEI, ngjallën reagime te fuqishme nga opozita politike, e cila e komentoi gjithshka të lidhur me korrupsionin e qeveritarëve, ndërkohë që rruga është tërësisht fushore dhe aspak e komplikuar për t'u ndërtuar.
Por, pa kaluar disa javë, në Kuvend qeveria paraqiti edhe projektligjin tjetër, që kishte të bënte më nje shtesë të financimit edhe për veprën tjetër të infrastrukturës, atë Levan-Tepelenë. Në këtë rast, shtesa e kërkuar ishte më e vogël por sërisht fjala është për miliona euro, konkretisht 7.5 milionë. Ajo që lind dyshime në të dy rastet është se kemi të bëjmë me herën e parë që kërkohet shtesë fondi për financim të veprave të filluara, që janë miratuar si preventive edhe me asistencën teknike e financiare të ndërkombëtarëve, pra që mund të fshehë pas saj veprime korruptive. Për më tepër, që në të dy rastet ndër kompanitë zbatuese është i njejti subjekt i përfolur, botuesi Fahri Balliu me firmën austriake Alpine.
(Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com)