Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Gjatë një tubimi në Gjakovë, kryetari i partisë dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi këtë garë si një përballje mes dy ideve krejt të ndryshme për Kosovën.

“Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje mes partive, por janë zgjedhje mes dy ideve për Kosovën. E para është e jona që e sheh shtetin si të përbashkëtën tonë më të madhe, si shtet i të gjithëve, si mjet për drejtësi e zhvillim. Ideja tjetër e atyre, e sheh shtetin si pronë të pakicës e si privilegj grupor e pushtet për vete”, deklaroi Kurti para mbështetësve.

Ai tha se lista e kandidatëve të Vetëvendosjes përfaqëson njerëzit që, sipas tij, e shohin shtetin si përgjegjësi dhe jo si përfitim politik.

“Lista jonë është një hartë e Kosovës që punon, e shtetit që mendon, e shoqërisë që sakrifikon e popullit që nuk e sheh shtetin si plaçkë momenti por si përgjegjësi historike”, u shpreh lideri i LVV-së.

Listës i prin vetë Albin Kurti si kandidat për kryeministër, ndërsa pas tij renditet Glauk Konjufca. Në dhjetëshen e parë të kandidatëve janë edhe Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti-Selimi.

LVV ka futur në listë edhe figura të reja, ndërsa kandidati i fundit në listë është Salih Zyba me numrin 110. Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, Vetëvendosje kishte marrë 51.1 për qind të votave.

Kosova po shkon sërish në zgjedhje të parakohshme pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas listës preliminare të votuesve, më 7 qershor pritet të votojnë mbi 2 milionë qytetarë, ndërsa më shumë se 22 mijë persona do të votojnë për herë të parë.