Një valë e re lëvizjesh ka nisur këtë mes dhjetori në Policinë e Shtetit, e cila synon të krijojë impulse të reja në hetimin e ngjarjeve kriminale dhe të rrisë nivelin e sigurisë në 12 qarqet e vendit. Report Tv ka mundur të zbardh ndryshimet e para të cilat tashmë janë firmosur dhe mjafton vetëm nisja nga puna. Nga lëvizjet preken disa prej komisariateve të Tiranës, shefat e të cilëve ndryshojnë. Kështu, lëvizje janë shfaqur në Komisariatin nr. 1, i drejtuar prej pak më shumë se 1 viti nga Petrit Hala, i cili tranferohet në të njëjtën detyrë në Komisariatin e Librazhdit.

Në vend të tij emërohet Altin Lila, i cili prej disa vitesh mbante postin e shefit të Komisariatit nr. 3. Vendi i lënë bosh nga Lila zëvendësohet nga Bledar Rreshka. Ndryshime ka edhe në Komisariatin nr. 4, aty nga Librazhdi vjen Sali Skura, i cili rikthehet pas disa vitesh në kryeqytet. Por, këto nuk janë ndryshimet e vetme.

Në krye të Drejtorisë së Kufirit në Durrës emërohet Arben Caka. Burime të Report Tv bëjnë me dije se tashmë të firmosura janë edhe disa ndryshime të tjera, të cilat pritet të zbardhen në vijim. Lëvizje pritet të ketë edhe në nivel qarqesh, teksa burimet thonë se një pjesë e tyre do të bëhen para ndërrimit të viteve. Këto lëvizje në Policinë e Shtetit vijnë në një moment që blutë po përballen me “frikën” e verifikimit të përdorimit të aplikacioneve të enkriptuara, “SkyECC” dhe “EncroChat”, të cilët janë përdorur në radhët e tyre për të komunikuar me eksponentë të krimit.

Të hënën e 18 dhjetorit rikthehet edhe vetting-u në polici, i cili kësaj hare po “gatuhet” nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Drejtuesit e parë tashmë do të njihen me rezultatet i filtrit në tre shtylla: pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale.

Altin Lila – Komisariati nr. 1 (Tiranë)
Bledar Rreshka – Komisariati nr. 3 (Tiranë)
Sali Skura – Komisariati nr. 4 (Tiranë)
Petrit Hala – Komisariati Librazhd (Elbasan)
Arben Caka – Drejtoria e Kufirit (Durrës)