Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës për armëmbajtje pa leje.

Xhordan Cafi u arrestua në aksin rrugor “LezhëShkodër”, në fshatin Mabë teksa lëvizte me një makinë tip BMW.

Blutë sekuestruan pistoletën dhe një sasi kanabisi që gjetën në shtëpinë e të riut në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve me qëllim kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë në banesë armë zjarri pa leje, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një të ri që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.

Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip BMW që dyshohej se udhëtonte i riu i armatosur dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll.

Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.