LEZHË - Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga policia teksa lëvizte me automjet, në të cilin iu gjet kanabis.

Policia njofton se 29-vjeçari me inicialet A.T. kishte si qëllim shitjen e sasisë së lëndës narkotike. Blutë kanë sekuestruar lëndën narkotike që u gjet në automjet, automjetin tip “Nissan” dhe 2 celularët e të arrestuarit.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Në vijim të punës informative dhe operacionale, të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Kallmet – Ungrej”, automjetit tip “Nissan”, me drejtues shtetasin A. T..

Nga kontrolli, u gjet në automjet, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila posedohej me qëllim shitjen.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.