Njëzet vite në elitën e automobilizmit botëror janë sa një karrierë e tërë, por për Lewis Hamilton rrugëtimi vazhdon me të njëjtin pasion si ditën e parë. Në prag të Çmimit të Madh të Australisë, gara hapëse e Botërorit 2026, kampioni britanik ka zgjedhur rrjetet sociale për të reflektuar mbi dy dekada në Formula 1.
Në një postim në 'Instagram', shtatë herë kampioni i botës rikujtoi fillimet e tij dhe sfidat që e shoqëruan në rrugën drejt majës.
“Është e vështirë ta kuptosh realitetin e atij numri. Gjithçka nisi me një ëndërr, që disa e quanin qesharake dhe thoshin se nuk do të më çonte askund. Por ëndrra nuk ndryshoi kurrë dhe unë nuk hoqa dorë asnjëherë prej saj”, shkroi Hamilton.
Statistikat e tij flasin vetë, shtatë tituj kampion bote, 105 fitore dhe 104 “pole position”, shifra rekord që e rendisin mes legjendave të Formula 1.
Në mesazhin e tij, piloti britanik i Ferrarit theksoi se rrugëtimi nuk ka qenë vetëm me suksese.
"Janë 20 vite me ngritje të pabesueshme dhe ulje brutale, me më shumë gabime nga sa mund të llogariten. Por ato gabime e kanë bërë udhëtimin edhe më të ëmbël”, u shpreh ai.
Hamilton foli edhe për forcën e brendshme dhe përgjegjësinë personale që e ka udhëhequr që nga debutimi në Formula 1.
“E ke në duar fatin tënd. E gjitha ajo që të duhet për të pasur sukses është brenda teje. Do të kesh nevojë për ndihmë gjatë rrugës, por ajo shkëndijë, ai zjarr, është brenda teje”, vijoi ai.
Në fund Hamilton ka një mesazh për të rinjtë dhe për veten.
“Do të jem përjetësisht mirënjohës për mësimet, momentet e qetësisë, kaosin dhe personat që më kanë ndihmuar të ndjek ëndrrat e mia. Jam ende këtu, 20 vite më pas, ende në këmbë, ende i uritur dhe ende i përqendruar tek ëndrra. Pa u ndalur”, shkroi 41-vjeçari.
Komente









