LEZHË - Një 41-vjeçar me banim në Ungrej të Lezhës u arrestua nga Policia e Lezhës, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar një grua 50-vjeçare. Ata e kanë lidhur gruan e cila është e sëmurë me epilepsi, dhe e kanë goditur me sende të forta në kokë, duke i kërkuar që t'i jepte vajzën e saj 18-vjeçare me qëllim që ta conin në Kosovë. E reja ka qenë e fejuar me vëllain e të ndaluarit tashmë nga policia, Kujtim Prenga. Gjatë momentit të dhunimit të 50-vjeçare, vajza e saj nuk ka qenë prezente në banesën ku ato jetojnë, në Rrënja e Velës – Rubik, Mirditë.
 
Prenga akuzohet për veprën penale “ Heqje e paligjshme e lirisë, ndërsa dy personat e tjerë ende nuk janë identifikuar. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 42-vjeçarin me inicialet T.L. banues në Ungrej pasi në lidhje me këtë ngjarje ka dhenë deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore.