LEZHË - Policia e Lezhës ka rënë në gjurmët e autorëve që qëlluan me breshëri plumbash një automjet me targa të huaja në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, tre ditë më parë. Burime nga Policia e Lezhës thanë për Shqiptarja.com se është mësuar identiteti i të dyshuarve dhe po punohet për arrestimin, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve.

Po ashtu, policia ka mundur të identifikojë edhe pronarin e makinës, i cili është një shtetas i huaj me banim në Shqipëri, por që nuk është i përfshirë në ngjarje. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se automjetin ia kishte dhënë një të njohuri të tij dhe se gjithçka çfarë kishte ndodhur e kishte mësuar vetëm nëpërmjet medias.