Mungesa e infrastrukturës rrugore është kthyer në një problem për rreth 1500 banorë të fshatit Troshan në Njesinë Administrative të Blinishtit në Lezhë.

Segmenti rrugor me gjatësi 3 km që kalon përmes fshatit dhe lidhet me rrugen kryesore është plotësisht i shkatërruar. Gropat e mëdha me ujë dhe baltë janë panorama që të sërviret në këtë fshat, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve.

Banorët deklarojnë se në periudhë reshjesh kalimi në këtë rrugë është thuajse i pamundur. Ata thonë se janë detyruar disa herë që të sëmurët t’i mbajnë mbi shpinë për t’i transportuar deri në rrugën e shtruar me asfalt.

‘’Kemi problem rrugën, kemi problem përroin e madh që izolon shkollë, qendrën shëndetësore. Po të kesh një njeri të sëmur duhet ta marrë në krahë dhe të kalosh në rrugën’’, është shprehur një banor.

‘’Ne po të kemi një njeri të sëmur, duhet të dalim tek asfalti. Kjo nuk është rrugë për të kaluar. Çdo fushatë vijnë edhe na premtojnë se do e ndërtojnë urën në përrua. Ne si fshat jemi të izoluar. Ne nuk mund të kalojmë në këmbë, se në makinë nuk bëhët fjalë’’, ka deklaruar një banor tjetër.
 
‘’Për të kaluar këtë rrugë, duhet të marrësh çizmet me vete, ndyshe nuk kalon dot’’u shpreh një banor i këtij fshati. 

Edhe ura e ndërtuar nga vetë banoret në perroin e fshatit rrezikon të shembet nga prurjet e shumta të ujit, ndërsa mbajtëset anësore të saj janë dëmtuar plotësisht dhe kalimi në të është një rrezik me vetë për banoret e këtij fshati. 

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com