LEZHE- Fillon marrja e masave për emergjencat civile në qarkun e Lezhës. Për të menaxhuar situatat që parashikohen me nisjen e reshjeve, kërkohet angazhim maksimal nga të gjitha institucionet për të përballuar çdo të papritur. Prefekti i Lezhës, Ndrec Deda, shprehet se masat do të jenë specifike për çdo zonë të caktuar në mënyrë që të shmangen sa më shumë situata e rënda që mund të paraqiten.

“Dihet që qarku i Lezhës është një qark problematik përsa i përket emergjencave civile, përsa i përket përmbytjes në zonën e Lezhës, Kurbinit dhe në zonën e Malësisë së Mirditës”, tha Deda.
 
Pika kyçe e cila do të shmangte përmbytjet është garantimi i funksionimit të hidrovorit. Për këtë bashkëpunimi me ndërmarrjet elektrike për të garantuar furnizimin me energji të hidrovoreve, ndërsa problemet me përmbytjet mund të jenë evidente në fushën e Torovicës.

“Nëse do ketë reshje të shumta problemet kryesore do t’i kemi me Balldrenin me kënetën, siç ka pas gjithmonë. Është e pashmangshme situata e rënduar që është në këtë zonë, po qe se nuk do të merren masa”, tha Drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, Petrit Gjoni.
 
Shtabi i Emergjencave Civile në Lezhë ka paraqitur problematikat e hasura deri tani, ndërsa njësitë e qeverisjes vendore kanë kërkuar më tepër mbështetje teknike për masa konkrete.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)