Një 32-vjeçar është arrestuar në fshatin Zhejë të Kurbinit i dyshuar si autori i vënies së tritolit në automjetin agjentit të krimeve në Lezhë Gentjan Gjetja në rrugën “Besëlidhja” në Lezhë.

I arrestuari është Fatjon Rrika, i cili u prangos teksa po drejtonte të njëjtin ciklomotor që kishte përdorur 2 ditë më parë për të vendosur tritolin automjetit dhe për t'u larguar nga vendi i ngjarjes. Ai nuk e ka pranuar autorësinë e krimit.

Vetë Gentian Gjetja ka deklaruar se nuk ka konflikte. Dyshimet janë se sulmi me tritol ndaj automjetit të punonjësit të policisë mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ushtron prej vitesh në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Grupi hetimor dyshon se Rrika mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të vendosur lëndën plasëse në mjet.

Sakaq, në gjendje të lirë po hetohet dhe babai i 32-vjeçarit, pasi gjatë kontrolli në banesë, iu gjet një armë gjahu pa lejen përkatëse.Ndërkohë hetimet po vijojnë për identifikimin e një tjetër personi që dyshohet se ka bashkëpunuar me Fatjon Rrikën.

Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Zoomed In”.

Zbardhen autorësia dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv, automjeti i një punonjësi policie.

Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i krimit.

I arrestuari, shtetas me precedent në Itali, për vjedhje me armë.

Ai u kap duke lëvizur me ciklomotorin me të cilin kishte shkuar për të kryer shpërthimin.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.

Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi F. Rr., 32 vjeç.

32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal për babanë e shtetasit F. Rr., shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje.

Ciklomotori dhe arma e gjahut u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Vijon hetimi në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara penale, një shtetas që dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin, për kryerjen e këtij krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë