LEZHE- Gjatë një takimi me banorë të Komunës “Zejmen”, në Lezhë, kandidatja për deputete e LSI në këtë qark, Monika Kryemadhi, ka vënë theksin në rëndësinë e punësimit dhe mundësitë për përmirësimin e klimës së biznesit.
 
“Ne kemi një plan përsa i përket çështjes së punësimit, ku janë pesë pikat e punësimit. Sigurisht që ka mundësi, por këto mundësi nuk janë të shfrytëzuara në maksimum, duke filluar nga Porti i Shëngjinit që është një vend i izoluar, por që mund të kthehet në një vend të mrekullueshëm, në një port kryesor përsa i përket veriun e Shqipërisë, Kosovën dhe më tutje. Krijimi i gati 1 mijë vendeve të reja të punës do të ishte një ndihmesë shumë e madhe, jo vetëm sa i takon çështjes së punësimit, por edhe çështjes së zhvillimit të biznesit”, vijoi Kryemadhi.
 
Gjatë bashkëbisedimit me banorët dhe simpatizantët e LSI-së në këtë komunë, Kryemadhi u shpreh se kudo në Lezhë ndihet mungesa e dorës së shtetit dhe se kërkohet një ritëm tjetër.
 
“Më vjen keq kur ecim nëpër rrugët e komunave apo të fshatrave, por edhe në qytet brenda, ndihet mungesa e dorës së shtetit. Sepse ti shikon që ka shtëpi, lokale, investime shumë të mëdha që i kanë bërë njerëzit vetë, por kur shikon ato investimet publike diferenca midis asaj midis çka bëjnë njerëzit me të ardhurat e tyre dhe asaj çka bën shteti është shumë e vogël. Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ne kërkojmë të ecim më shpejt, kërkojmë akoma më shumë”, tha gjatë takimit kandidatja për deputete e LSI-së.
 
Kryemadhi tha se duke krijuar garanci për biznesin dhe investitorët do të nxitet hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të kësaj zone. Sipas saj, Lezha është një vend ku mund të zhvillohet turizmi dhe që ka mundësi të cilat mund ta zhvillojnë vendin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)