LEZHË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i pyetur për arrestimin e kreut të Bashkisë Kamëz është shprehur se kjo mazhorancë është e vendosur të forcojë shtetin ligjor.

Nga Lezha ku ai ku merrte pjese në një aktivitet të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Lezhës, për fëmijët e rënë në krye të detyrës, kryetari i Kuvendit tha se për të sjellë një situatë më të mirë ekonomike në vend duhet të forcohet sundimi i ligjit.
 
"Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë është mjaft e vendosur dhe mjaft e përkushtuar për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar krimin, për të luftuar korrupsionin, për të luftuar informalitetin si rruga më e sigurt për të mbrojtur interesin publik. Premtimi kryesor është standarde më të larta për sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. Dhe për këtë na duhet edhe integrimi në Bashkimin Evropian. Në rast se nuk realizohen këto dy të parat edhe kjo e fundit natyrisht që nuk është ajo që mendojmë dhe dëshirojmë të gjithë", theksoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë fjalës së tij.
 
Meta shtoi se qeveria është e vendosur të krijojë një klimë më të mirë ndaj biznesit, duke ndërmarrë reforma rregullatore që ti vijnë në ndihmë këtij të fundit.
 
"Arritja më e madhe është mundësia që krijohet për shlyerjen e të gjithë borxheve që qeveria u kishte kompanive për veprat publike të kryera deri më sot. Kjo është një arritje mjaft domethënse, e cila do të çlirojë ekonominë tonë nga një ngërç në rritje deri më sot dhe njëkohësisht do të krijojë një situatë shumë optimiste për të ardhmen", vijoi ai.
 
"Dëgjojmë vazdimisht shqetësimin lidhur me tatim-fitimin nga 10 deri në 15 %, që natyrisht nuk është një masë që na bën të lumtur, por nuk është niveli i tatimit mbi fitimin ai që përcakton klimën ndaj biznesit, sepse tatimi mbi fitimin prej gati 6 vjetësh është 10 %, por të gjitha treguesit e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar që nga 'Doing Bussiness' e kështu me radhë, vazhdimisht e kanë përkeqësuar renditjen e Shqipërisë për sa i takon klimës ndaj biznesit edhe pse tatimi mbi fitimin ka qenë vazhdimisht 10 %, sepse janë edhe mjaft tregues të tjerë, të cilët janë përcaktues në klimën ndaj biznesit", tha ndër të tjerash Meta.
 
Në aktivitetin e organizuar me fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës me rastin e festave të fundvitit kreu i Kuvendit, Meta si dhe zonja e tij, Monika Kryemadhi kanë, shpërndarë dhurata për ata, ndërsa është vlerësuar kontributi i dhënë nga baballarët e tyre në luftën ndaj krimit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)