LEZHË - Policia e Lezhës ka zbuluar një garazh që ishte përshtatur për prodhimin e lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë 3 veta, si dhe janë sekuestruar 70 doza kanabis, 1 armë pistoletë me krehër dhe 2 radio marrëse-dhënëse.
U arrestuan nga Forcat Shqiponja gjatë operacionit 'Befasia': Rigers Marku, 24 vjeç, Reneo Përgjini, 24 vjeç dhe Erisolo Marku 24 vjeç. Nga hetimet rezultoi se Erisolo Marku kishte përshtatur garazhin e tij për veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Në ambientet e këtij garazhi u gjetën dhe sekuestruan materialet e thëna më lart, ku dyshohet se 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak zotërohej nga Rigers Marku.
''Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. M., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
-R. P., 24 vjeç, banues në fshatin Manati, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
-R. M., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve, shpërthyese dhe municionit”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. M. e kishte përshtatur garazhin e tij, për veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në ambientet e garazhit u gjetën 70 doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi R. M., dhe 2 radio marrëse-dhënëse, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 celularë dhe 1 automjet.'', njofton policia.
Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve kriminale, teksa materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.