Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona dhe ka nisur hetim për një adoleshent, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tyre dhe në makinën që po lëviznin, policia iu ka gjetur një sasi kokaine dhe kanabisi.
Bëhet me dije se në pranga ka rënë 36-vjeçari Leo Marku dhe 19-vjeçari Alfred Ndreu.
Po ashtu policia bën me dije se gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e Leo Markut, u gjet edhe një sasi tjetër kanabisi.
“Gjatë kontrolleve në terren, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, kanë lokalizuar në fshatin Balldre, një automjet me të cilin dyshohej se qarkullonin shtetas që shitnin lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në automjet tip “Volksëagen” dhe kontrollit fizik ndaj 3 shtetasve që qarkullonin me të, shërbimet e Policisë gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, shtetasit L. M., u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit L. M., 36 vjeç, dhe A. N., 19 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
-nisi procedimi penal për shtetasin tjetër, 17 vjeç, për të njëjtën vepër penale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 3 celularë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Komente










