LEZHE - Tre të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë shpallur në kërkim. Të rinjtë, ishin bërë tmerri i Lezhës dhe fshatrave përreth, pasi vidhnin pa ndërprerje banesa, bagëti, motora, dyqane etj.

Burime Zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës kanë pohuar për “Shqiptarja.com”, se janë arrestuar në flagrancë, Simon Gjoka, 26 vjeç, Flakon Tafa dhe Fatjon Tafa nga 23 vjeç, të gjithë banues në Milot, banues në Milot.

Arrestimi i tyre, sipas të njëjtave burime, është bërë pasi uniformat blu të Drejtorisë së Policisë në Lezhë, kanë dokumentuar grabitjen e banesës së Llesh Tucit, në fshatin Rrilë, Fran Mullajt në fshatin Balldre, të cilit I kanë vjedhur lopët, motorin e Gjin Ndrecës, etj.

Në momentin e prangosjes, uniformat blu iu kanë bllokuar grabitësve edhe një Volksëagen Golf 3, ngjyrë e bardhë më targa gjermane, gërshërë për prerjen e hekurave, leva, si dhe sende ushqimore të vjedhura.

Prej disa muajsh, banda e hajdutëve ishte nën hetim, pasi në polici ishin shtuar ndjeshëm denoncimet për vjedhje. Megjithë dyshimet, ata ende nuk ishin prangosur nga policia. Kjo e fundit priste të siguronte prova për prangosjen e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)