LEZHË- Një fabrikë e përpunimit të peshkut është shkrumbuar nga flakët mëngjesin e sotëm në superstradën Lezhë-Laç, duke shkaktuar frikë dhe panik te punëtorët, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 6 të mëngjesit në fabrikën 'EuroFish', në pronësi të Kujtimi Shkrelit, Emilio Rizzoli-t, me nga 14 dhe 16 përqind dhe kompanive italiane 'Parma Fish' dhe 'Delicious Rizzoli'. Flakët kanë djegur pjesën më të madhe të fabrikës, ndërsa pas më shumë se dy orësh, zjarri është vënë nën kontroll dhe po shkon drejt shuarjes. Fatmirësisht u shmang edhe përkeqësimi i situatës, për shkak se në afërsi ndodheshin edhe disa bombola gazi një shpërthim i të cilave mund të kishte shkaktuar një tragjedi.

Disa punonjës shprehen se sapo kishin filluar punën, ndërsa fatmirësisht kanë mundur të dalin jashtë për të shpëtuar.

"Kam qenë brenda pashë kur nisën flakët pastaj tym. Kishte dhe punëtorë të tjerë, dolëm të gjithë me vrap jashtë", shprehet njëra prej tyre.

Ndërkohë si pasojë e flakëve dhe tymit të dendur u bllokua për rreth një orë lëvizja në rrugën Lezhë-Laç, ndërkohë është devijuar trafiku në qytet dhe në rrugë dytësore.

Katër punëtorët e parë që u paraqitën mëngjesin e sotëm në ndërmarrjen “Eurofish” e cila u përfshi nga flakët panë një vatër tymi dhe dëgjuan një kërcitje, si shkëndijë elektrike. Këto ishin fjalët e prefektit të Lezhës, Gjok Jaku i cili tha se magazina ishte plot me materiale ambalazhimi, kryesisht plastike.

“Magazina kryesore është e gjitha e djegur, materiale brenda kanë qenë ambalazhimi, plastik kryesisht. Forcat e zjarrfikëses ishin të mëdha ishin nga Lezha, Shkodra, Mirdita Kurbini. Komunikova me njeriun e parë që ka hapur magazinën, kanë qenë 4 veta të cilën thjesht kanë parë një vatër tymi dhe një kërcitje si një shkëndijë elektrike, por pa e parë atë.”, tha ai.

Ende nuk dihen me saktësi shkaqet e rënies së zjarrit teksa tymi ka mbuluar zonën, ndërsa zjarrfikësit e Kurbinit dhe Mirditës po punojnë për shuarjen e flakëve.

Flakët kanë shkrumbuar thuajse tërësisht kompaninë  'EuroFish', e cila operon prej 25 vitesh në Lezhë dhe ka një numër të konsiderueshëm prej 430 punonjësish, 96% e të cilëve janë gra. Kjo fabrikë merret me prodhim, magazinim, grumbullim, blerje dhe shitje brenda dhe jashtë vendit, të produkteve të peshkut dhe lëndëve të para që përdoren për këtë aktivitet, marikulturë, akuakulturë në vaska, peshkim dhe transportim në përgjithësi, shitjen direkte me shumicë e pakicë nëpërmjet pikave të shitjes dhe dyqaneve.

 

Ekstrakti i biznesit Eurofish

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:55
Shkrumbohet ndërmarrja ‘Eurofish’, flet prefekti i Lezhës: Punëtorët e parë dëgjuan shkëndijën elektrike! Magazina ishte me materiale ambalazhimi, kryesisht plastike

Katër punëtorët e parë që u paraqitën mëngjesin e sotëm në ndërmarrjen “Eurofish” e cila u përfshi nga flakët panë një vatër tymi dhe dëgjuan një kërcitje, si shkëndijë elektrike. Këto ishin fjalët e prefektit të Lezhës, Gjok Jaku i cili foli për mediat lidhur me incidentin.

“Në këto momente që flasim vatra e zjarrit në magazinën kryesore në hyrje të ndërmarrjes së ‘Eurofishit” është e izoluar, pasi të gjithë zjarrfikëset janë vendosur në të gjithë perimetrin e magazinën. Edhe me një komunikim që kisha me drejtuesin e operacionit, thuhet me siguri që perimetri është i sigurt. Magazina kryesore është e gjitha e djegur, materiale brenda kanë qenë ambalazhimi, plastik kryesisht. Forcat e zjarrfikëses ishin të mëdha ishin nga Lezha, Shkodra, Mirdita Kurbini. Komunikova me njeriun e parë që ka hapur magazinën, kanë qenë 4 veta të cilën thjesht kanë parë një vatër tymi dhe një kërcitje si një shkëndijë elektrike, por pa e parë atë. Njerëzit menjëherë kanë dalë jashtë. Ka qenë ora 6 akoma s’kishin ardhur në punë punonjësit e fabrikës, është fat që s’kemi pasur lëndime. Fola me administratorin Shkreli, biznesi është i siguruar.”, u shpreh ai.

Ora 08:10
Zjarri në fabrikën e peshkut në Lezhë, asfiksohet një zjarrfikës, dërgohet me urgjencë në spital

Një zjarrfikës është asfiksuar si pasojë e tymit, teksa po punonte për të shuar flakët që kanë 'pushtuar' fabrikën e peshkut në Lezhë. Ai është marrë nga ambulanca dhe është dërguar me urgjencë në spital, teksa nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.