LEZHË- Një parcelë me 270 bimë kanabis është zbuluar këtë të premte në Malin e Rrencit.
Parcela është zbuluar në ambient të hapur, si rezultat i kontrolleve të pandërprera në zona të pyllëzuara dhe në terrene malore të qarkut të Lezhës. Policia ende nuk e ka zbuluar se cilët janë kultivuesit.
Gjatë kësaj faze të planit operacional “Imazhi”, si rezultat i përdorimit të dronit, në një ambient të hapur, pronë publike, në malin e Rrencit, u konstatuan të mbjella rreth 270 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".