Policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme në kryeqytet 36-vjeçarin Mir Ndoj. Ndoj rezulton pjesëtar i një grupi kriminal që kultivon, prodhon dhe shet kanabis.

36-vjeçari ishte shpallur në kërkim 5 ditë më parë, pas arrestimit të dhëndrit të tij David Ndoj i cili u kap në momentin kur po fuste automjetin në oborrin e banesës së vjehrrit në tentativë për të fshehur drogën.

Gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe sekuestrua lënda narkotike e paketuar për shitje në sasi dhe e grirë, e gatshme për shitje në doza, 1 pajisje që përdorej për paketimin e lëndës narkotike dhe 2 automjete.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë bashkëpunuar me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat, u kap në Tiranë ndërkohë që udhëtonte me taksi dhe u vu në pranga shtetasi:    

M. N., 36 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se 5 ditë më parë, në rrugën e fshatit Balldre, në bashkëpunim me shtetasin D. N. (i cili u arrestua në flagrancë), po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, por gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet. 

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.