LIBI - Të paktën 25 persona kanë mbetur të vrarë dhe 30 janë plagosur pas sulmeve të njëpasnjëshme me bomba në lindje të Libisë, në al-Qubbah. Lajmi bëhet me dije nga mediat lokale ku mësohet se ka pasur tre shpërthime me bomba; njëra ndaj një karburanti, një tjetër ndaj një rajoni policie dhe bomba e tretë ndaj shtëpisë së zëdhënëses së parlamentit.

Sipas zyrtarëve shpërthimet e bombave mund të jenë të lidhura me sulmet e fundit ajrore të Egjiptit ndaj militantëve të shtetit islamik. Egjipti nisi sulmet në Libi pas ekzekutimit të 21 egjiptianëve të krishterë dhe mendohet se ka shkaktuar mbi 50 viktima.

Libia ndodhet në kaos që prej 2011 kur u vra lideri i tyre Muammar Gaddafi, dhe që prej asaj kohe janë krijuar shumë grupe militantësh që luftojnë për të marrë drejtimin e vendit nën kontroll. 

Ndërkohë dhe në kryeqytetin e Somalisë është regjistruar një sulm në një hotel ku mbetën të vrarë më shumë se 20 persona. Sipas zyrtarëve policorë në Mogadishu fillimisht janë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme, fillimisht një makinë dhe një kamikaz që ka hedhur vetën në erë, e më pas ka pasur dhe të shtëna me armë. Sulmi është pranuar nga militantët islamik të Al-Shabab të cilët luftojnë qeevrinë e mbështetur nga OKB-ja për të marrë në dorë kontrollin e Somalisë.



(v.gj/shqiptarja.com)