LIBRAZHD - Rreziku i shkaterrimit natyror që vjen nga mania e ndërtimit të HEC-eve, 84 prej tyre vetëm në rrethin e Librazhdit, ka nxitur deputetin socialist të zonës, Taulant Balla, të vërë alarmin.  Nga 84 HEC-et, 75 % e tyre janë miratuar brenda Parkut Kombëtar Shebenik - Jabllanicë.

I mbështetur nga specialistë të fushës, si inxhinjeri Fatmir Brazhda, Balla e vë theksin në radhë të parë në mosinformimin e komunitetit për katastrofën e pritshme natyre nga ndërtimi i 85 hidrocentraleve vetëm në rrethin e Librazhdit.

Në profilin e tij në Fb, ai shkruan:  “Në rrethin e Librazhdit janë miratuar lejet për ndërtimin e 85 hidrocentraleve të kapaciteteve të ndryshme, sa 1/4 e totalit në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka burim, përrua apo lumë pa u përfshirë në ndërtim hidrocentrali.

Projektet për ndërtimin e tyre janë në atë mënyrë që uji futet i tëri në tuba në shtratin e lumit me gjatësi 5-10 km dhe godinat ndërtohen njera pas tjetrës në radhë, ku i bie që uji të mos duket gjëkundi. Rreth 75 % e tyre janë miratuar brenda hapësirës së Parkut Kombëtar Shebenik - Jabllanicë.”

Dhe ajo që duket qartë se e shqetëson deputetin e zonës, është fakti se “shoqëria civile nuk është thirrur asnjëherë për t'u informuar rreth kësaj situate dhe pasojave të saj. Pasojat dihen:

PASOJAT E NDERTIMIT TE 84 HEC-eve NE LIBRAZHD
  •  Prishje e ekosistemeve natyrore
  •  Ndryshime mikroklimatike
  •  Ulj e lagështise ajrore
  •  Zhdukje totale e faunës ujore e më gjërë
  •  Impakt mbi bimesinë lokale
  •  Prishje e shtretërve të lumejve dhe peisazhit natyror
  •  Ulje e turizmit dhe vizitorve në Parkun Kombëtar të Shebenikut
  •  Prishje e sistemeve vaditëse
  •  Nxitje në rreshqitjen e tokave dhe objekteve, ku rast evident janë 27 banesa jashtë funksionit.
Për këto arsye, i gjithë komuniteti është kundër, por jo vetëm ata, po dhe specialistët, që e miratojnë këtë shqetësim. Situata ka shkuar në këtë gjendje, sepse informimi ka qënë zero; asnjë nuk e di këtë masakër që po ndodh, përveç atyre që i miratuan pa asnjë kriter,”- përfundon Balla.

Ndërtimi i HEC-eve lokale nëpër Shqipëri ka qënë prioritet i qeverisë “Berisha”. Gjatë fushatës elektorale të këtij viti, kryeministri në ikje e ka vënë theksin shpesh në rëndësinë e ndërtimit të tyre për hapjen e vendeve të punës dhe shtimin e sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në vend.

berisha hece
(Berisha gjatë fushatës elektorale duke shpërthyer detonatorin për nisjen e punimeve të një HEC-i të ri)

berisha hece
(Shpërthimi i realizuar nga Berisha për nisjen e HEC-it të ri në Lumas të Kukësit)

Redaksia online
(Armanda Shtëmbari/Shqiptarja.com)