Librazhd, Berisha:Rama, i ke nervat
e lodhur nga rrugët ku ke ecur 

Librazhd, Berisha:Rama, i ke nervat<br /> e lodhur nga rrugët ku ke ecur 
LIBRAZHD - Partia Demokratike po vijon fushatën elektorale me prezantimin e kandidatëve për deputet në Librazhd. Në këtë qytet kandidon Eduard Selami.

Kryeministri Berisha u tha qytetarëve të mbledhur në shesh: "Shpreh kënaqësinë dhe nderin, që jam sot para jush për të paraqitur deputetët tuaj në parlamentin e ardhshëm shqiptar. Ju jap fjalën, zotohem para jush, se ata do të jenë deputetë të qytetarëve të Librazhdit, të interesave, problemeve, projekteve dhe halleve tuaja. Ne vijmë në Librazhd me vendosshmërinë më të madhe për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të librazhdit".

BERISHA: DO VIJOJME INVESTIMET NE RRUGE DHE SHKOLLA

Duke u ndalur tek investimet e bëra në këtë rreth, kryeministri tha se programi i PD-së për 4 vitet e ardhshme parashikon vijimin e investimeve në Librazhd.

“Kemi ndërtuar mbi 20 shkolla, do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë të re. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar qendra shëndetësore, ujësjellësa dhe kanalizime. Numri i bizneseve në Librazhd është dyfishuar. Nga 700 biznese që kishte më parë, sot çdo qytetarët mund të konstatojë në drejtorinë e tatimeve se Librazhdi ka 1400 taksapagues nga ky qytet. 4 vitet që vijnë, janë vitet e infrastrukturës më moderne dhe ujësjellësit të ri të Librazhdit dhe zonave përreth.”, tha Berisha.

“Së shpejti inaugurohen punimet në të gjithë gjatësinë e rrugës, Qukës-qafë-Pllocë. Rruga që çon drejt parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë është në asfaltim e sipër.”

BERISHA: INVESTIMET NE LIBRAZHD DO FOKUSOHEN NE REZERVAT UJORE

Sipas kreut të PD-së, investimet në këtë rreth do të fokusohen edhe në fushën energjetike.

“Ky rreth është i pasur me rrjedha ujore. Në këto rrjedha ujore janë të kontraktuara me koncension rreth 53 hidrocentrale, me një fuqi të instaluar prej 200 megavat dhe me një investim prej 250milionë euro. Vetëm këto hidrocentrale do të punësojnë së paku 4 mijë punëtorë nga Librazhdi”, theksoi kreu i qeverisë.

BERISHA: DO SHTOJME SIPERFAQET E MBJELLA ME DRU FRUTORE NE LIBRAZHD

Rritja e subvecioneve për fermerët është një nga mënyrat më të mira për të nxitur fermerët në mbjelljen e drurëve frutorë. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha para qytetarëve të Librazhdit, duke theksuar se ky rreth ka mundësi të mëdha për rritjen e lajthive dhe arrave.

“Janë mbjellë mbi 80 hektarë dru frutorë. Librazhdi ka potencialin për t’u kthyer në një nga zonat më të mëdha të vendit të kultivimit dhe rritjes së lajthive, arrave, e drurëve të tjerë frutorë”.

BERISHA: RAMA, I LODHUR NGA UDHETIMET NE RRUGET E RINDERTUARA

Duke përmendur investimet e bëra në 8 vite nga qeveria në rrugë, shkolla, ujësjellësa, e qendra shëndetësore, kreu i qeverisë iu përgjigj deklaratës së kreut të Partisë Socialiste të bërë gjatë takimit të djeshëm me qytetarët e Tiranës.

“Kemi bërë shumë investime dhe kemi ende shumë për të bërë. Ne kemi arritur jo pak në ato që kemi shpallur. Por cila është alternativa tjetër? Ju e dëgjuat vetë mbrëmë, kur Edi Rama u tha qytetarëve të Tiranës, për mua, se Berisha për çdo hall tuaj thotë vetëm: rrugë, rrugë, rrugë. Zotëri i ke nervat e lodhur. Dhe i ke të lodhur shumë nga rrugët ku ti ke ecur. Investimet në rrugë janë ndër qëllimet e mia më madhore, dhe fakti që në këtë rreth bizneset janë rritur nga 700 në 1400 tregon se kemi në fokus biznesin dhe zhvillimin e tij.

Duke përdorur shprehjen se “ku shkon rruga, shkon biznesi”, Berisha ftoi kryeministrin të ngjitet edhe në zonat turistike malore të Librazhdit, “ku qytetarët dhe turistët tashmë shkojnë për të pushuar falë rikonstruksionit të rrugës”.

SELAMI: PD DO T'I JAPE FUND BLLOKIMI TE INTEGRIMIT

Në fjalën e tij, kandidati Eduard Selami tha se një ndër arritjet kryesore të qeverisë është udhëtimi në vendet e BE pa viza, duke shtuar se “PD ka nënshkruar çdo marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Europian. PD me programin e saj, është mundësia më e mirë për qytetarët shqiptarë".

Ndërkaq, akuzoi aleancën e majtë si bllokuesin kryesor të integrimit të vendit në BE. "Nëse do të kishte dëgjuar zërat e moderuar brenda PS-së dhe të qytetarëve shqiptarë, sot vendi do të ishte integruar në BE”, tha Selami.

Duke kërkuar votën e qytetarëve të Librazhdit për Partinë Demokratike, Selami tha se “kjo forcë politike mundëson më shumë punësim, mundësi, investime, përkrahje për fermerët dhe biznesin. PD do t’i japë fund bllokimit të integrimit të vendit në BE”.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit