ELBASAN- Është publikuar fotoja e 18 vjeçarit Dorian Belba i cili humbi jetën në aksidentin e mbrëmjes së djeshme (4 shkurt) në aksin Librazhd-Qafë Thanë. Aksidenti ndodhi si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit që drejtohej nga Meglind Zeneli, i cili është arrestuar sot (5 shkurt) nga policia.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin "Librazhd-Prrenjas", ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin M. Z., 21 vjeç, banues në fshatin Qukës, Librazhd, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për këtë shkak automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë humbi jetën njëri nga pasagjerët e këtij automjeti, shtetasi D. B., si dhe kanë mbetur të dëmtuar 2 pasagjerët e tjerë dhe drejtuesi i automjetit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën"- njofton policia.
Për pasojë u plagosën gjithashtu edhe të rinjtë, Gerald Verçani dhe Janikos Shyti, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë shpejtësia e madhe me të cilën po qarkullonte automjeti i drejtuar nga 21 vjeçari Meglind Zeneli.