Librazhd - Dy të rinj banues në fshatin Xhyrë kanë rënë në prangat e policisë për kultivim të kanabisit.
24 dhe 26-vjeçari u kapën në flagrancë, në zonën e pyllëzuar të këtij fshati, ku kishin kultivuar në platforma polistiroli, fidanë të dyshuar narkotikë kanabis.
“Si rezultat i një hetimi proaktiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe në koordinim me Prokurorinë, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve, të dyshuar të përfshirë në kultivim të bimëve narkotike, u zhvillua operacioni i koduar “Faza e parë”.
Gjatë kësaj faze të operacionit, u arrestuan shtetasit O. L., 24 vjeç dhe R. B., 26 vjeç, të dy banues në fshatin Xhyrë. Ata u kapën në flagrancë, në zonën e pyllëzuar të këtij fshati, ku kishin kultivuar në platforma polistiroli, fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa. Kontrollet dhe hetimet në kuadër të operacionit anticannabis “Faza e parë”, vijojnë”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











