LIBRAZHD - Partia Socialiste e Librazhdit ka denoncuar sot drejtorin e spitalit të qytetit për presion ndaj mjekëve. Sipas kreut të PS-së së Librazhdit, Kastriot Gurra janë denoncuar në prokurori drejtori i spitalit, Liman Mënalla dhe kryeinfermierja, Elisabeta Ziko për presion ndaj personelit për të fotografuar votën apo për t'u marrë atyre kartën e identitetit.

Ky është një incident i përsëritur elektoral, që ka të bëjë me presione ndaj votës së lirë në vend, ku më flagrante kanë qenë rastet e kërcënimit të mësuesve prej drejtorëve të shkollave apo kryetarëve të komunave.

Një tjetër rast ka qenë ai i degës së PS-së së Durrësit, e cila denoncoi në fund të muajit të kaluar presionin, që po ushtron qeveria mbi administratën publike, si dhe nxënësit e shkollave të mesme.

Një tjetër rast i denoncuar ka qenë ai i deputetit socialist të qarkut të Fierit, Ervin Koçi, i cili  denoncoi në Facebook thirrjen që Drejtoria Arsimore e Fierit u bën drejtorëve të shkollave dhe mësuesve të këtyre shkollave për të marë pjesë në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike.

Ndërkohë që, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar para dhjetë ditësh se "prokurorët në rrethe janë udhëzuar të raportojnë çdo ditë në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me incidentet elektorale, si dhe denoncime të tjera në kuadër të kësaj fushate parazgjedhore të 23 qershorit".

Reagimi erdhi pak ditë nga letra, që kreu i PS-së Edi Rama i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku i kërkoi ngritjen e një Task Force sa i përket hetimit të incidenteve elektorale dhe përdorimit të administratës në fushatë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)