TIRANË - Një konferencë veneciane e bashkëpunimit dhe e lidhjeve të hershme shekullore mes Shqipëri dhe Italisë u zhvillua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare nga studiuesja veneciane Lucia Nadin në kuadër të javës së 14 të Gjuhës Italiane në botë. Studiuesja Nadin ka punuar për një kohë të gjatë në Shqipëri në zbulimin e historisë mesjetare të Shqipërisë.
 
Ajo mbajti një leksion për shtypin venecian në kohën e Aldo Manuzio-s dhe aktivitetin e Bernardino Vitali-t, botues i Marin Barleti-t me origjinë shqiptare si dhe studime rreth Mesharit të Gjon Buzukut. Në konferencë mori pjesë dhe ambasadori italian Massimo Gaiani si dhe studiues historikë e letrar. Lucia Nadin e shpallur dhe qytetare nderi në Shkodër për botimin e "Statuteve të Shkodrës" u shpreh se ndihet gjysëm qytetare veneciane dhe gjysëm qytetare shqiptare.

"Pasi më dhanë titullin qytetare nderi ndihem gjysëm Veneciane dhe gjysëm shqiptare. Në Shqipëri mbërrita në vitet 90 dhe jetova edhe vitet e turbullat t'i quajmë kështu të tranzicionit.Shqipërinë e kam dashur që nga momenti i parë që kam ardhur këtu pasi kam gjetur një mikpritje dhe një ngrohtësi njerëzore."-tha studiuesja veneciane Lucia Nadin.

Lucia Nadin
(Në foto: Studiuesja veneciane Lucia Nadin)


Biblioteka Kombëtare i kishte kushtuar profesoreshë Lucia Nadin një miniekspozitë me botimet, zbulimet dhe studimet që ajo ka bërë në Shqipëri. Konferenca u organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Gjatë konferencës së saj Lucia Nadin bëri një tabllo të shtypit në Venecia, kryeqyteti europian i librit ndërmjet Shekullit të XV dhe XVI.
 
Lucia Nadin është shumë e njohur në Shqipëri për kontributin e saj të spikatur në fushën e kërkimeve historike mbi marrëdhëniet midis Republikës Venedikase dhe Shqipërisë. Venecia dhe Shqipëria, një histori takimesh dhe shkëmbimesh shekullore, është botimi i saj i fundit, në të cilin janë përmbledhur zbulime shumë të rëndësishme.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)