Ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington i cili ndodhet në një vizitë pune në Tiranë, është takuar sot me kryeministrin Edi Rama por dhe me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.
Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, ministri Lidington ka garantuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Edhe në takimin me Metën dhe Lidington u bisedua rreth forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe ecurisë së reformave në vendin tonë.
TAKIMI ME RAMEN
Lidington vlerësoi nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe u shpreh angazhimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, në nivel teknik dhe jo vetëm, në një sërë fushash prioritare për Shqipërinë, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës.
Në fokus të takimeve që Lidington ka zhvilluar mekryeministrin Rama dhe me kreun e Kuvendit Ilir Meta, ka qenë perspektiva europiane e Shqipërisë.
Gjatë takimit, kryeministri Edi Rama e njohu ministrin Lidington me reformat e ndërmarra, duke theksuar se "pavarësisht se Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, Qeveria shqiptare mbetet e vendosur në angazhimin e saj për përmbushjen e të gjitha prioriteteve të kërkuara në këtë proces".
Ministri Lidington vlerësoi shumë këtë qëndrim të shprehur nga Kryeministrit Edi Rama. Ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të qeverisë shqiptare, reformat e ndërmarra prej saj, Ministri Lidington shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuara në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
META-LIDINGTON: BRITANIA E MADHE, PARTNER I RENDESISHEM PER TE ARDHMEN E SHQIPERISE
Edhe në takimin me Metën dhe Lidington u bisedua rreth forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe ecurisë së reformave në vendin tonë.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe theksoi se “Britania e Madhe përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë”.
Meta deklaroi vullnetin e plotë për avancimin e axhendës së reformave vendimtare që kërkon vendi dhe qytetarët, siç janë: reforma administrative territoriale, reforma në drejtësi, si dhe reformat ekonomike e sociale.
Lidington vuri në dukje gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe rajonit, dhe në këtë kontekst është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e saj në avancimin e reformave prioritare të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ministri i Shtetit Lidington ndanë bindjen e përbashkët se forcimi i dialogut politik dhe gjithëpërfshirja mbeten shumë të rëndësishme për progresin e reformave.
Në takimin me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Europiane, David Lidington shoqërohej nga Ambasadori i Britanik në Tiranë, Nicholas Cannon.
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)