Në prag të publikimit të listës me futbollistët e grumbulluar për ndeshjet e kombëtares, që do të ndodhë të shtunën në orën 11:00, situata te kuqezinjtë paraqitet me dy tablo të ndryshme. Lajmet e mira për trajnerin Rolando Maran vijnë nga faza e sulmit ku disa lojtarë kanë spikatur mbi të tjerët. Shembull është Cristian Shpendi, i cili shënon prej 4 ndeshjesh radhazi, ndërsa në të fundit kompletoi ‘dopietën’ kundër Cremonese-s. Madje specialist në futbollin italian e kanë sugjeruar sulmuesin 23-vjeçar te ekipet e Seria A.
Formë shumë pozitive po kalojnë në Turqi Taulant Sferi, por edhe Rey Manaj. Madje dy sulmuesit e kombëtares po garojnë në listën për golashënues, pasi në 7 javët e para të Ligës së Parë turke Seferi ka realizuar 7 herë dhe Manaj 6. Në fundjavë ishte Seferi ai i cili me ‘dopietën’ kundër Istanbulspor parakaloi Manajn.
Jasir Asani dhe Indrit Tuçi gjithashtu kanë gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa së fundmi kësaj liste iu bashkua edhe Anis Mehmeti. Në ndeshjen e parë që 25-vjeçari iu bashkua ekipit, pasi nuk pëlqehej nga trajneri i Ipswich, i realizoi Arsenalit. Kjo ishte edhe një lloj hakmarrje, teksa tifozët tani kërkojnë nga trajneri i tyre që Mehmeti të jetë pjesë e skuadrës edhe në Premier League.
Më problematike paraqitet faza e mbrojtjes. Elseid Hysaj ende s’e ka nisur sezonin pasi është pa ekip, ndërsa Ivan Balliu është aktivizuar me pikatore. Vetëm 4 minuta në fundjavë. Akoma edhe më e vështirë për Kumbullën, i cili deri më tani nuk ka luajtur me Rayo Vallecano-n. Edhe Ardian Ismajli u ul në stol te Torino përballë Romës, ndërsa disi më ndryshe situata e Mario Mitajt i cili luajti në Kupë me Geno-n.
E sigurt është që Maran nuk do të llogarisë 3 lojtarë që janë të dëmtuar për 4 sfidat e para të Ligës së Kombeve. Arlind Ajeti, Thomas Strakosha dhe Myrto Uzuni nuk janë të disponueshëm, ndërsa edhe Julian Shehu është në pikëpyetje. Shqipëria do të luajë 4 sfida nga 26 shtatori deri më 6 tetor. Do ta nisë kundër Bjellorusisë në Air Albania, më pas San Marino dhe Finlanda në transfertë dhe së fundmi sfida e kthimit kundër San Marinos në Tiranë.
Ndryshe nga çfarë ishte njoftuar më parë nga FSHF lista me futbollistët e grumbulluar të Kombëtares për ndeshjet e Ligës së Kombeve nuk do të publikohet të premten, por të shtunën në orën 11:00. Vetë federata njofton ndryshimin:
“Kombëtarja shqiptare do të nisë këtë fundjavë përgatitjet për ndeshjet e UEFA Nations League, me kuqezinjtë që do të kenë një kalendar të ngjeshur gjatë muajve shtator dhe tetor, me katër sfida në program.
Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, do të shpallë të shtunën, më 19 shtator, në orën 11:00 në Shtëpinë e Futbollit, listën e lojtarëve të grumbulluar për këto përballje. Shpalljen e listës, tekniku italian do ta bëjë gjatë konferencës për media, ku do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe do të komentojë zgjedhjet e tij për sfidat e radhës.
Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Bjellorusinë në shtëpi, më 26 shtator, ndërsa tre ditë më pas do të udhëtojnë drejt San Marinos për ndeshjen e 29 shtatorit. Më pas, Kombëtarja do të luajë në transfertë ndaj Finlandës më 3 tetor, përpara se të rikthehet në shtëpi për sfidën e dytë ndaj San Marinos, më 6 tetor.
Ndërkohë, grumbullimi i skuadrës do të nisë të hënën, kur lojtarët e ftuar do të bashkohen me ekipin dhe do të zhvillojnë pasditen e po asaj dite seancën e parë stërvitore në Shtëpinë e Futbollit.
Katër ndeshjet e shtatorit dhe tetorit do të jenë një tjetër etapë e rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, që synon të vijojë rrugëtimin në UEFA Nations League me përgatitje maksimale dhe përkushtim në çdo sfidë,”-thuhet në njoftim










Komente
Komento