Liga Profesioniste ka hedhur poshtë edhe ofertën e dytë për t’u takuar me Anila Denajn dhe Fidel Yllin në Ministrinë e Financave. Në një intervistë për report tv, sekretari i Ligës Dritan Kadia, thotë se i mbeten qëndrimit të parë për t’u takuar vetëm me kryeministrin Rama.

“Kërkohet vullnet politik i kryeministrit i cili i ka bërë këto premtime. Në tavolinë ai le t’i marrë edhe zonjës Denaj, por edhe Fidel Yllin, me kushtin që të jetë edhe ai,”-u shpreh Kadia.

Lidhur me akuzat e përfaqësuesit të qeverisë për të negociuar me Ligën Profesioniste, Fidel Ylli, i cili tha se pas gjithë kësaj fshihet presidenti i FSHF-së Armando Duka, Kadia shprehet:

“Armando Duka dhe FSHF është vetëm një palë që është pranuar nga Liga, për arsyen se I gjthë ky si process është iniciuar nga federata. Është ndjekur nga FSHF dhe federata I ka personat të cilat i kanë njohuritë për këto çështje. Ndaj në negociata është kërkuar të jetë grupi negociator , qeveria dhe FSHF. Pra është një negociatë tre palëshe.”

Ndërkohë nëpërmjet një qëndrimi në faqen zyrtare Liga Profesioniste thotë se priste më shumë mbështetje nga Fidel Ylli në konferencën e djeshme me ministren e Financave Anil Denaj. Ndër të tjera Liga ngre edhe disa pyetje të cilët lënë të kuptosh se mungon vullneti politik për kërkesat e tyre, të cilat kanë çuar deri në bojkotin e kampionatit.