Ligji i ri për kompanitë e mediave sociale në Gjermani , i cili hyri në fuqi më 1 janar, ka bërë që të nis një debat I madh, ku kompanitë të cilat preken nga ky ligj e kanë cilësuar këtë si një censurë e cila kalon çdo kufi.

Sipas asaj që parashikon ky ligj, kompanitë të cilat kanë më shumë se dy milionë përdrues të regjisturar, duhet të kenë një staf të posaçëm i cili të merret vetëm me heqjen e përmbajtejeve që kanë gjuhë urrejtjeje dhe ato të cilat janë cilësuar si  të paligjshme nga ana e shtetit gjerman.

Ligji parashikon që kompanitë duhet t’i heqin përmbajtjet e raportuara nga përdoruesit brenda 24 orëve ose Ministria federale për drejtësi dhe mbrojtjen e konsumatorit mund t’i gjobisë kompanitë deri në 50 milionë euro.

Ligji i ri i cili është cilësuar si një ndër më të rreptët në Europën Perëndimore, është cituar tashmë edhe nga Rusia, Singapori dhe Filipinet si një shembull pozitiv i legjislacionit për të hequr përmbajtjet ilegale nga internet.

Ndërkohë kritikët janë shpehur se ky ligj cënon lirinë e fjalës. Gjithashtu edhe "Human Right Whatch" ka reaguar duke e cilësuar ligjin si të mangët dhe  ka shtuar se vendos një precedent të rrezikshëm.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com