Ligji i Luftës, Greqia nuk tërhiqet 
 "Pronat e çamëve në gjykatë"

Ligji i Luftës, Greqia nuk tërhiqet <br /> "Pronat e çamëve në gjykatë"
TIRANE- Greqia nuk tërhiqet nga ligji i luftës. Këtë qëndrim e rimbajti dje në Tiranë kryediplomati helen, Nikos Kotzias, i cili tha se vendi i tij nuk ka pse të heqë ligjin e luftës, kur dy vendet janë në një paqe shumë vjeçare. “Shqipëria dhe Greqia kanë ura shumë të rëndësishme miqësie, të cilat janë emigrantët shqiptarë dhe sigurisht ai minoritet grek që ekziston këtu prej shumë vitesh në Shqipëri. Bashkë me këto, diplomacia dhe interesat tona të përbashkëta krijojnë mjaft ura të tjera të reja.

Ne besojmë se nuk ekziston një situatë lufte me Shqipërinë; ne mendojmë se të gjitha marrëveshjet, të gjitha deklaratat që janë bërë nga Këshilli Administrativ në vitin 1980, bashkëpunimi që kemi në NATO na bëjnë jo vetëm miq, por dy shtete të cilët janë partnerë dhe aleatë,”-tha ministri grek. Megjithatë, ai shtoi se pala shqiptare nuk e lexon në këtë prizëm këtë ligj. “Mirëkuptojmë faktin se shpeshherë kjo mënyrë jona e leximit nuk përbën gjithmonë edhe mënyrën e leximit nga pala shqiptare.

Prandaj, në të gjitha marrëveshjet e tjera që ne do të bëjmë, do të gjejmë edhe njëherë tjetër mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në situatë lufte, nuk jemi, por duhet ta konfirmojmë këtë gjë,”- tha Kotzias. Sa i takon çështjes së pronave të komunitetit çam, Kotzias tha se rruga e vetme, është vetëm gjykata.

“Për sa i përket heqjes së ligjit të luftës dhe të të drejtave të pronësisë, çdo qytetar shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke, t’i drejtohet atyre dhe i mbështetur mbi të drejtën, të pretendojë për kërkesat e tij. Ne nuk duam që çështjet e pronësisë së individëve të bëhen elementë të errët në marrëdhëniet ndërshtetërore apo të minojnë disi miqësinë tonë,”- tha kryediplomati grek. Ai shtoi se të dy vendet nuk mund të ngelen peng e së shkuarës.

“Duhet të mësojmë nga historia, duhet të mbështetemi në histori, të mos përsërisim gabime të së shkuarës, por edhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ndaj, kushdo që të na burgosë në këtë situatë, dhe duke pasur madje një gabim dhe përgjegjësi historike, ne nuk do t’i ndjekim; ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, dhe e ardhmja i përket të dyja vendeve, të dy popujve dhe kryesisht gjeneratave tona të reja”,- tha ministri Kotzias.

Ligji i luftës ka qenë temë themelore e bisedimeve dhe me kreun e opozitës, Luzim Basha. “Basha tha se duhet vullnet dhe reciprocitet për të kapërcyer çështjet e mbetura pezull dhe për të çliruar mundësitë e mëdha dhe energjitë ende të pashfrytëzuara që ekzistojnë mes dy vendeve. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi rëndësinë që ka abrogimi i Ligjit të Luftës, pasi përbën një pengesë juridike për shqiptarët që kanë dhe duan të kërkojnë të drejtat e pronësisë në Greqi”,- thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Idrizi: “I zhgënjyer nga Kotzias, qëndrim provincial” 
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotizas gjatë qëndrimit në Tiranë, duke u ndjerë i zhgënjyer nga fakti se ministri për këtë çështje ka përzgjedhur të mësojë historinë e ekstremit të djathtë të Napoleon Zervës dhe jo ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. “

​Është një qëndrim folklorik, tipik i provincializmit ballkanik dhe në kontrast të dukshëm nga qëndrimi fisnik e me vlera evropiane që mbajti një ditë më parë Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, i cili kërkoi falje për masakrat e nazizmit”, - shkruan Idrizi në Facebook. Për këtë arsye kreu i PDIU-së shtron pyetjet që nëse: “Kotzias do të kërkojë falje për 5100 të vrarë, të masakruar nga një bashkëpunëtor i nazizmit si Napoleon Zerva? Po për pjesën tjetër të dëbuar në një spastrim të pastër etnik?”- shkruan Idrizi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

 Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje

Të paktën 19 të vdekur dhe 'shumë të zhdukur' nga përmbytjet në Bosnje