Ndërkohë jashtë parlamentit, Aleanca kundër importit të plehrave proteston kundër votimit të këtij ligji.
Ora 19:30 RIMIRATOHET IMPORTI I MBETJEVE ME 73 VOTAT E MAXHORANCES
Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi pak çaste më parë dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit për importin dhe përpunimin e mbetjeve në Shqipëri. Me 73 vota kundër dekretit, dhe 59 pro, votimi la në fuqi projektligjin e votuar edhe më parë në Kuvend me nenet që lejojnë importimin e plehrave për depozitim dhe përpunim në Shqipëri.
Ora 18:40 BERISHA: LIGJI KUFIZON DHE DISIPLINONON MBETJET
Gjatë seancës plenare kryeministri Sali Berisha është shprehur se “ky ligj pjeston me shtatë mbetjet të cilat mund të importohen”. “Ligji për mbetjet kufizon të gjitha importet e mbetjeve dhe i disiplinon ato në mënyrë më të rregullt,” tha Berisha. “Qeveria zbaton me rigorozitet marrëveshjet e firmosura me BE-në.
ORA 13: 55 RUCI: HIQNI NENIN 22 TE LIGJIT
Nga ana e opozitës, kryetari i Grupit parlamentar të PS-së kërkoi heqjen e nenit që lejon importin e mbetjeve dhe mbajtjen e një referendumi. Ruçi nënvizoi se "Opozita jo vetëm nuk e jep votën për këtë ligj, por nëse ai miratohet, do të jetë i pari që opozita do rrëzojë sapo të vijë në pushtet."
“Ne ndahemi prerë në këtë ligj që ke kaluar në dy momente, së pari ligji nuk zgjidh problemin për menaxhimin e plerave tona, së dyti, nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Nuk na imponon dot aletarnativën tëndë, aleanca jonë sot është me qytetarët dhe ne po ta themi, ligji në seancën e parë nëse e miraton sot, është ligji i plehrave që bashkë me qeverisjen tënde të zhduken dhe plehrat nga Shqipëria. Neni 22 lejon importin, Nuk mund të pranojmë as 400 as 50 lloje plehrash, por asnjë. Hiqe këtë nen dhe ulemi të diskutojmë referendum popullor pse nuk pranon, pse ngut. Janë ata që na kanë prurë ne këtu, janë ata që dëmtohen nga ky nen”- tha Ruci.
Ora 13: 30 BERISHA PRO LIGJIT, NA MBRON NGA MBETJET TOKSIKE
Në parlament kryeministri deklaroi se ligji “mbron Shqipërinë nga mbetjet toksike”.“Ky është ligji që i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të Kuvendit të gjitha plehrat toksike, ky ligj i imponon qeverisë mosfutjen e lëndëve toksike, jo si deri tani kur ju ishit në pushtet. Këta që kanë varur shpresat te partia e plehut për të ardhur në pushtet, ta harrojnë, nuk është kjo rruga e pushtetit”- tha Berisha duke akuzuar opozitën dhe kreun e saj, Edi Rama për mashtrim të shqiptarëve.
“Sot kjo ditë shënon de fakto themelimin e 'Partisë së plehut' në këtë sallë. Pasi u themelua Aleanca e plehut shpërtheu epidemia. O burra të gjejmë vota në plehra... po rrëmohet, po kërkohet që në plehra të mbinë particka. Ligji që është miratuar është ai i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike” nënvizoi Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka vendosur që në Shqipëri të hyjnë vetëm 50 lloje mbetjesh, të cilat do të importohen sipas kushteve të nevojshme për të shmangur çdo rrezik.
Ora 11: 45 MEDIU: LIGJI SIPAS STANDARDEVE BE
Nga ana e qeverisë Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu mbrojti ligjin duke e cilësuar atë në parametrat europiane dhe riciklimin si një proces të domosdoshëm për vendin. Mediu nënvizon se për ligjin janë bërë gjithë konsultimet e nevojshme me pushtetin lokal, specialistët dhe përfaqësuesit e BE-së.
“Është konsultuar pushteti lokal, janë bërë disa takime me përfaqësuesit e tyre, kemi zhvilluar takim përmbyllës për draftin e tij në prezencë të përfaqësues të BE dhe pushtetit lokal, me bashkinë e Tiranës për planin e menaxhimit. Diskutimi ka qenë me të gjithë aktorët pa asnjë lloj përjashtimi, nuk është parë të ftohen njerëz që kundërshtojnë dhe pranojnë”- nënvizoi ai. Ministri i Mjedisit sqaroi se janë bërë100 milionë investime në industrinë e riciklimit dhe garantoi se ligji kufizon importin ne 55 lloje, pjesë e e listës së gjelbër. Ai ftoi opozitën, shoqërinë civile dhe kundërshtuesit të jenë pjesë e debatit për kufizimin e listës se gjelbër.
Ora 11: 30 KLOSI: LIGJI DO KTHEJE SHQIPERINE NE DEPO PLEHRASH
Deputeti i PS-së, Blendi Klosi i bëri thirrje deputetëve të mos e votojë ligjin që do kthehet në gangrenë për Shqipërinë. "Ky ligj është qoka e radhës që kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ky ligj tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plera, kërkohet që Shqipëria të bëhet depo plehrash.... Është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave” tha Klosi. Nga foltorja e Kuvendit shtoi se ligji duhet të kalojë në referendum, që të vendosin shqiptarët për të. "Duhet të ketë referendum. .. Pse keni frikë nga opinioni shqiptar? Pse të mos i dëgjojmë, para se të votojmë me kartonat që ata na i kanë dhënë në dorë? shtoi deputeti i PS.
Ora 11: 10 PROTESTA PARA PARLAMENTIT
Drejtues të Aleancës kundër importit të plehrave, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe analistë të njohur të medias janë mbledhur para parlamentit në shenjë proteste kundër votimit të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Protestuesit mbajnë pankarta ku shkruhet “Përfaqësues të popullit mos votoni ligjin që vret popullin tuaj”.
Ora 11:00-NIS SEANCA E KUVENDIT
Kuvendi nis punimet e seancës plenare të së enjtes, ku pika më e rëndësishme është dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", i rrëzuar pak ditë më parë me votat e maxhorancës në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese.