TIRANË- “Opozita tenton të bllokojë. Ne do të vijojmë reformat. Projektligji i propozuar është në përputhje me kushtetutën”.
Kështu është shprehur sot Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, në një deklaratë për shtyp ku ka folur lidhur me ndryshimin në ligjet për nëpunësin civil.
 
Reagimi i PD-së vjen pas deklaratave të deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili akuzoi sot kryeministrin Rama se ka firmosur në fshehtësi një projekt/ligj të ri, që sipas tij zhbën tërësisht Ligjin për Nëpunësin Civil, reformën në administratën publike.
 
Ministrja u shpreh sot se qëllimi i vetëm i opozitës është të bllokojë reformat.
 
“Ka një problem me opozitën e Partisë Demokratike sot. Kur i ftojmë në takim në Kuvend për të diskutuar, nuk vijnë, kur i shkruajmë për t’i informuar dhe kërkuar mendim, nuk përgjigjen. Në parlament nuk e kanë mendjen tek rendi i ditës e në fund ankohen pse nuk u pyetën.
 
E vërteta është se ndryshimet që Qeveria ka propozuar në ligjin për Nëpunësin Civil janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin.
 
Ne jemi të vendosur për të ndërmarrë reformat e nevojshme, brenda kornizës ligjore, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në konsultim me partnerët e huaj, e për aq sa mundemi, në konsultim edhe me opozitën”, tha Harito.
 
Sipas saj, vetëm PDIU është treguar bashkëpunuese.
 
Falenderojmë me këtë rast një pjesë të opozitës, PDIU, që ju përgjigj pozitivisht ftesës dhe nuk u fsheh pas arsyesh absurde, për të mos pranuar as të ulej në tryezën e bisedimeve”, tha Harito.
 
Ajo vërejti se, “Institucionet, sipas kërkesave ligjore, kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet që Qeveria propozon në projektligjin për Nëpunësin Civil; ekspertë vendas dhe evropianë janë konsultuar prej disa javësh tashmë”.
 
“LIGJI I MIRATUAR NË MAJ 2013 I NXIRRTE NËPUNËSIT NË RRUGË”
“Kujtojmë gjithashtu që çështjet që qeveria propozon të rishikohen, janë çështje që nuk u diskutuan në komisionet e kuvendit para miratimit të këtij ligji në maj të vitit 2013.
 
Padyshim, për këtë arsye Ligji i miratuar në maj 2013 kishte një të metë serioze: nuk parashikonte asnjë rregullim të pasojave që sjell ristrukturimi apo mbyllja e një institucioni, duke i nxjerre nëpunësit në rrugë, pa asnjë mbrojtje.
 
Ndryshimet e propozuara kanë vetëm një qëllim: garantimin e mbrojtjes edhe në rastin e daljes nga shërbimi civil”, vijoi Ministrja Harito.
 
Ajo e cilësoi projekt-ligjin e paraqitur në respektim të Kushtetutës.
 
“Qeveria  gjen edhe njëherë rastin për të shprehur qëndrimin e saj të palëkundur për të respektuar dhe zbatuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë në vend. Projektligji i propozuar është krejtësisht në respektim te vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili saktëson që ndërhyrjet në Ligjin për Nëpunësin Civil, nuk duheshin bërë me akt normativ por vetëm me procedurën parlamentare.  Pikërisht këtë bën projektligji i propozuar, i cili do të diskutohet në Kuvendin e Republikës”.
 
“Mirëpresim kontributin konstruktiv të deputeteve të PD-së në komisionet përkatëse”, theksoi Harito.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)