TIRANE- Familjet që do të përzgjidhen nga shërbimi social, për të marrë nën kujdestari fëmijët që jepen për adoptim, do të përfitojnë edhe mbështetje ekonomike. Sipas vendimit “Për përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe të procedurës së shërbimit të kujdestarisë”, të botuar në fletoren zyrtare, përcaktohet edhe shuma e lekëve që familjet e përzgjedhura do të përfitojnë nga shteti. Kështu masa e financimit për familjen kujdestare, për shpenzimet e ushqimit të një fëmije në kujdestari, është 9.000 lekë në muaj. Ndërkohë që vendimi përcakton se masa e financimit për familjen kujdestare, për shpenzimet e ushqimit të një fëmije me aftësi të kufizuara, të vendosur në kujdestari, është 10.000 lekë në muaj, pra vetëm 1.000 lekë më shumë për një fëmijë që në të vërtetë ka një kosto shumë të madhe për shkak të paaftësisë. Po sipas këtij vendimi, këto familje përfitojnë mbështetje financiare, njëherë në vit: për veshmbathjen, 10.000 lekë në vit; shpenzime të tjera indirekte, 10.000 lekë në vit si dhe shpenzime për shkollën, 5.000 lekë në vit. Vendimi përcakton se pagesa e familjes kujdestare bëhet një herë në muaj, pranë sektorit të ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore, në bashkinë apo komunën ku ka vendbanimin e përhershëm familja kujdestare.
KRITERET
Që prej disa vitesh tashmë, në bazë të një projekti pilot, në vendin tonë po aplikohet edhe sistemi i familjes kujdestare. Që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një vendim final për birësimin e fëmijës, por ajo kalon një fazë njohjeje, ndaj këta familje nuk quhen familje birësuese, por kujdestare. Por për të marrë këtë status familjet duhet të kalojnë një sërë kriteresh të forta, që fillojnë që nga niveli ekonomik dhe arsimi e deri tek raportet shëndetësore që vërtetojnë se familja pritëse nuk ka probleme psikike. Kështu ky vendim qartëson se për të përcaktuar nëse një familje plotëson kushtet për familje kujdestare, duhet të vlerësohet personaliteti tërësor i familjes në funksionimin e saj; anëtarët e familjes kërkuese të mos kenë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata; gjendja financiare e familjes kujdestare sipas të ardhurave të tyre; motivimi i anëtarëve të familjes kërkuese për të qenë familje kujdestare. Rëndësi kanë edhe cilësitë prindërore si dhe shëndeti i mirë fizik dhe mendor i anëtarëve të familjes kërkuese. Strehimi dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe i kushteve higjienike është një tjetër kriter seleksionues i familjes kujdestare, ndërsa aplikantët nuk duhet të kenë qëndrime diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara apo minoriteteve etnike dhe duhet të respektojnë ushtrimin e besimit fetar të fëmijës. Gjithashtu një rëndësi të madhe ka edhe infrastruktura e komunitetit, në të cilin banon familja kërkuese; gatishmëria për të bashkëpunuar me familjen biologjike të fëmijës dhe me institucionet e përfshira në procesin e kujdestarisë. Ndërkohë që ekspertët, përpara se të vendosin t’i besojnë një fëmijë një familjeje kujdestare e kalojnë atë në sitë, duke zhvilluar inspektime në banesën e tyre për të verifikuar gjendjen dhe kushtet e shtëpisë, si dhe marrin informacione mbi ta edhe nga psikologë, policë, përfaqësues të organeve të pushtetit vendor në vendbanimin e familjes kërkuese, punëdhënësin, etj.
(sg/shqiptarja.com)