Ligji i ri i energjisë, Gjiknuri: I
japim fund abuzimeve të bëra

Ligji i ri i energjisë, Gjiknuri: I<br />japim fund abuzimeve të bëra
TIRANE - Qeveria do të ashpërsojë masat ndaj debitorëve të energjisë elektrike. Sipas projekt-ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, tani ai që ka një detyrim prej 150 mijë lekësh të rinj ndaj OSHEE-së i kaoln automatikisht shtëpia në barrë hipotekore, ndërsa bizneseve do t’i sekuestrohet pasuria në momentin që detyrimi është mbi kufirin e 2 milion lekëve. 
 
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha përpara deputetëve në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese se ligji i ri për energjinë elektrike synon t’i japë fund abuzimeve që bëheshin deri më sot.
 
“Projektligji ka si qëllim krijimin e një kuadri ligjor në këtë sektor, në objektiv, krijimin e një tregu konkurrues, furnizimin e qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike klientëve, mbron konsumatorin si dhe minimizon kostot e shërbimit të furnizimit”, tha Gjiknuri. 

Më poshtë fjala e plotë e Gjiknurit

Në projektligj parashikohet se tashmë furnizimi me energji elektrike i klientëve fundorë mund të bëhet nga çdo i liçencuar në bazë të çmimeve të rregulluara dhe të përcaktuara nga ERE nën detyrimin e shërbimit universal dhe me çmime të negociuara lirisht midis palëve. Garantohet që ndryshimi i furnizuesit bëhet me kërkesë të klientit fundor dhe pa kosto shtesë për klientin. Çdo ankesë lidhur me ndryshimin e furnizuesit do të paraqitet para ERE për zgjidhje.

Në seksionin e dytë të kësaj pjese, përcaktohen modalitetet e njoftimit dhe kërkesa për të paguar energjinë elektrike, si dhe masat e ndryshme që mund të marrë furnizuesi për marrjen e këtyre pagesave.

Përsa i përket parashikimeve mbi mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve të energjisë elektrike nga klientët fundorë, ku parashikohet edhe mundësia e furnizuesit për të vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit fundor, në rast se detyrimi i akumuluar kalon një vlerë të caktuar, dua të sqaroj se këto propozime mbi ekzekutimin e detyrimeve të energjisë elektrike vijnë në një situatë kur sektori energjetik ndodhet në një gjendje mjaft të vështirë ekonomike financiare. Problemet me mos pagesat dhe akumulimin e borxheve nga klientë të ndryshëm, përfshirë edhe transferimet e shpeshta mbi objektet e pronësisë edhe për të shmangur detyrimet për të paguar energjinë, kanë qenë një problem real i cili ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë elektrike.

Për këtë arsye, aplikimi i hipotekës mbi objektet që furnizohen me energji elektrike, paraqet një zgjidhje pozitive, qoftë për interesat e blerësve të këtyre objekteve të cilët nuk do të përballen më me fatura të panjohura dhe me probleme për të lidhur energjinë elektrike, qoftë edhe për interesat e furnizuesit të energjisë elektrike. Në këtë kuptim, në rastet e tjetërsimeve të pasurive, shpesh herë pronarët e rinj të objekteve të paluajtshme janë penalizuar me ndërprerjen e energjisë elektrike, për shkak të detyrimeve të mbartura të energjisë elektrike, që rezultojnë në një pikë të caktuar furnizimi që lidhet me objektin e paluajtshëm të përfituar mbi bazën e një kontrate shitje. 

Madje për shkak të ekzistencës së detyrimeve, pronarët e rinj nuk procedojnë dot me lidhjen e kontratës së energjisë elektrike për të njëjtën pikë furnizimi, por janë të detyruar që të aplikojnë e të paguajnë tarifat e lidhjes së re, duke u ngarkuar me një detyrim financiar të tepërt. Kjo vendos në pozitë të disfavorshme blerësin, pra pronarin e ri, i cili nuk ka dijeni për detyrimet e energjisë elektrike të shitësit, për energjinë e furnizuar në objekt nga kjo pikë furnizimi dhe si rezultat, blerësi bëhet subjekt i ndërprerjeve të energjisë në këtë pikë furnizimi. Vendosja e hipotekës sjell në vëmendje të palëve çështjen e pagesës së detyrimeve të energjisë gjatë kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, pasi hipoteka do të evidentohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme në momentin e përfundimit të kontratave. Sqarojmë se u rikonceptua edhe proçesi i mëtejshëm, duke i lënë të drejtën e ndjekjes së procedurave të mëtejshme të ekzekutimit, përfshirë edhe sekuestrimin, përmbaruesit gjyqësor konform parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile
.

Fjala e Gjiknurit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese

Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin,  Eduart Shalsi në fjalën e tij, theksoi se ky projektligj do të diskutohet për një kohë të gjatë në komision si edhe do të zhvillohen disa seanca dëgjimore për shkak të rëndësisë që ka.
 
“Është rënë dakord që ky sistem ka nevojë për një ristartim si edhe kuadri ligjor duhet të fillojë të ndërtohet me themel. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, do fillojmë pikërisht me ligjin e energjisë elektrike. Siç ju bëra me dije të nderuar koleg, ne kemi parashikuar që nga data 15-16, deri në fund të muajit, të zhvillojmë për gjatë tre katër ditëve takime intensive. Do të kemi në komision përfaqësues të kompanive shtetërore, si ata të OSHEE-së, KESH-së, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ndërkohë që pjesën e dytë kemi edhe konsulta me grupe të ndryshme interesi”, tha Shalsi.

Ndërsa Nënkryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin,  Genc Ruli në fjalën e tij theksoi se nisma për liberalizimin e tregut të energjisë është e nevojshme, por në sistemin energjetik shqiptar kjo është e pa realizueshme.

“Në fakt, padyshim që sektori energjetik ka nevojë për ta thelluar shumë më tej reformat e ndërmarra në të, ka nevojë të liberalizohet, ndonëse deklarime aq optimiste dhe entuziaste një treg plotësisht të liberalizuar të energjisë, ne as mund dhe as s’kemi takat ta bëjmë. Madje dhe Evropa ka paketën 1, paketën 2, paketën 3, sepse në fakt tregu më i pa liberalizuar në Evropë vazhdon të ngelet ende tregu energjetik”,-deklaroi Ruli.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Përdorën avion për të transportuar ilegalisht emigrantë në Essex nga Franca, dënohen me 5 vite e 2 muaj burg shqiptarët në Britani

Përdorën avion për të transportuar ilegalisht emigrantë në Essex nga Franca, dënohen me 5 vite e 2 muaj burg shqiptarët në Britani