TIRANË - Ligji i ri i shërbimit privat të sigurisë fizike pritet të prekë rreth 9 mijë persona, efektivë të kompanive private të ruajtjes dhe sigurisë fizike të angazhuara në këtë treg në vend.

Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi, parashikon që të gjithë punonjësit e punësuar në këto kompani të jenë të arsimuar minimalisht me shkollë të mesme dhe më pas duhet të përfundojnë një kurs trajnimi dy javor në Akademinë e Policisë, ku edhe duhet të certifikohen.

Dhimitraq Ziu, shef i sektorit të shërbimeve ndaj të tretëve, tregon edhe mënyrën se si do të kryhet testimi dhe licencimi i punonjësve të këtij shërbimi.

"Përderisa ligji e përcakton me arsim të mesëm së shpejti me implementimin e këtij ligji, këta do të largohen nga policia private."- tha Ziu.
 
Më tej Ziu tregon edhe risitë që ka sjellë ky ligj, ndërsa tregon se të gjitha kompanitë e sigurisë fizike, janë të detyruara të blejnë dhe të regjistrojnë në polici, armë të reja sipas standardeve të BE-së, duke bërë që armët vdekje prurëse të zjarrit, si pistoletat TT, apo automatikët kallashnikov do të hiqen nga përdorimi.

"Shërbimi privat i sigurisë fizike do t’i blejë vet armët. Ne jemi dhe në fazën e implementimit të ri i cili i hep të drejtën shërbimeve private të sigurisë fizike që nëpërmjet autorizimit dhe regjimit të rreptë të kontrollit nga strukturat e policisë së shtetit ky shërbim do ta blejë armën, do ta regjistrojë në polici dhe do ta përdorë për nevojat e punës brenda orarit të punës."- u shpreh Ziu.
 
Sipas shefit të sektorit të Shërbimeve ndaj të tretëve, rastet e fundit kur janë vërejtur sulme ndaj objekteve që ruhen me efektivë të shërbimit privat të sigurisë, janë kryer kontrolle ndaj këtyre subjekteve, ku janë konstatuar disa shkelje.

“Kohët e fundit kemi patur dy ngjarje kriminale të rënda, dy vjedhje me armë gjatë shoqërimit të vlerave monetare, është ngritur grupi i punës për të kontrolluar subjektet.  Janë grumbulluar të gjitha llojet e veprimeve, dokumentacioni. Kemi konstatuardhe shkelje në planizimin e shërbimit te raporti forcave. Kemi konstatuar dhe shkelje te mjetet të cilat shërbejnë transportin, të cilat duhet të jenë mjetet e blinduara dhe të autorizuara nga drejtori i policisë së shtetit. Dhe i kemi shoqëruar me masa administrative deri dhe në heqje licence, heqje certifikate të titullarit të drejtuesve teknik dhe punonjësi shërbimit.”- u shpreh Ziu
 
Gjatë vitit të kaluar sipas Ziut janë kryer mbi 400 kontrolle dhe janë marrë masa ndëshkuese dhe administrative, me gjoba apo me heqje licencash në 197 raste.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)