Ligji për dosjet, Patozi:Mos i hapni
se dhe Blushin do e shpallnit agjent

Ligji për dosjet, Patozi:Mos i hapni<br />se dhe Blushin do e shpallnit agjent
TIRANË - Gjatë diskutimit për ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit në kohën e diktaturës komuniste, deputeti i PD Astrit Patozi u shpreh se qeverisë do t’i interesonte që të mos e miratonte ligjin. Sipas tij në këtë mënyrë qeveria do të kishte mundësinë që të shpallte çdo kënd do guxonte t’i prishte gjumin Kryeministrit, ku mes tyre ai përmendi emrin e Blushit.
 
“Ndonëse ju tashmë keni vendosur ta miratoni, unë gjithsesi po ju jap një këshillë:Mbase do ju interesonte më shumë të mos i hapnit dosjet, sepse mund ta kishit shpallur agjent të sigurimit të shtetit edhe Ben Blushin, apo ndonjë deputet tjetër që do guxonte ti prishte gjumin Kryeministrit. Opozitën po e po.”- tha Patozi
 
Fjala e Plotë e Astrit Patozit në Kuvend
Po përpiqem të shmangem për të mos rënë në përsëritje për shkak se kolegët e trajtuan në mënyrë shumë elokuente thelbin e këtij projektligji, ta trajtoj në një këndvështrim tjetër.
 
Të nderuar kolegë të mazhorancës, ky është ligji më hipokrit dhe më tinzar që keni sjellë në parlament që kur erdhët në pushtet këtu dhe 2 vjet të shkuara. Është hipokrit sepse synon të kundërtën e qëllimit që nismëtarët kanë paraqitur publikisht. Është tinzar sepse kërkon të krijojë një pështjellim për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale që kanë kapluar vendin, skandalet e panumërta të kësaj qeverie dhe nga pikiata ekonomike ku po rrokulliset Shqipëria nën drejtimin e kësaj mazhorancë.
 
Përpara 20 vitesh edhe unë kam shpresuar dhe besuar që do të vijë patjetër një ditë që krimet monstruoze të komunizmit do të ndriçohen kam besuar që do vijë patjetër një ditë që dosjet do të hapen dhe që nga jeta publike do të nxirren me forcën e ligjit të gjithë ata që kanë përlyer duart me gjakun dhe jetën e mijëra të përndjekurve nga diktatura e Enver Hoxhës.
 
Për shkak se përjetuam regjimin më të egër të kontinentit ne e kishim shumë më të nevojshëm se gjermanët, çekët apo polakët që ta kishim bërë prej kohësh lustracionin. Por sot faktkeqësisht nuk kam pothuajse asnjë shpresë që kjo do të ndodhë, sepse ne për qëllime të ulëta politike i dogjëm një e nga një të gjitha etapat që ky proces të kryhej dhe vendi të mbyllte njëherë e përgjithmonë plagët e tmerrshme të komunizmit.
 
Por fakti se unë e kam humbur shpresën nuk do të thotë se më është zbehur neveria për ish­bashkëpunërorët e sigurimit të shtetit dhe as për xhelatët e armës famëkeqe të diktaturës. Jo sot që është ende shpejt, por edhe pas 20 vjetësh do të kem të njëjtën konsideratë dhe përçmim për ta. Por problemi është se për çfarë do ti shërbejë sot kësaj shoqërie ky proces kaq shumë i vonuar dhe kaq shumë i zvarritur. A ka shqiptarë që të bësojë në qëllimin e mirë të kësaj qeverie, e cila po nxiton gjoja të hapë dosjet e vjetra, ndërkohë që këtu përdirën mbyllen dosjet e reja të freskëta të krimit dhe korrupsionit.
 
Le ta zëmë për një çast se pas hapjes së dosjeve njerëzit do të mësonin emrat e politikanëve apo zyrtarëve të lartë që kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit, a do të ishte kjo e mjaftueshme që institucionet tona të zbrazeshin nga skota e tyre? Ligji që ka sjellë qeveria as nuk e synon këtë, sepse nuk ka asnjë lidhje me lustracionin. Por edhe sikur ta kishte dhe njo thjesht për faktin se këta që drejtojnë sot vendin sa herë kanë ardhur në pushtet e kanë mbushur administratën me ish­fosile dikature. Por pse unë nuk besoj tek ky proçes, sepse dikush mund të thotë më mirë vonë se kurrë që drejtësia të vihet në vend.Po për çfarë drejtësie po flasim?
 
Nëse ky ligj do të synonte vërtet e pastrimin e jetës publike nga ish­sigurimsat sigurisht që ky proces duhet të niste me parlamentin sepse ky është krye institucioni i republikës sonë. Por si mund të besoj unë se ky parlament mund të bëhet më i mirë në rast se ne nxjerrim prej tij ndonjë ish­bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, kur këtu ka plot të akuzuar për vrasje, trafik droge dhe prostitucioni.
 
Unë vetë e kam të vështirë të jap përgjigjen sepse nuk kam vuajtur asnjë ditë burgu në kohën e diktaturës, por seç kam një bindje të fshehtë që edhe një ish­i burgosur po të pyetej sot se çfarë konsideron më të rrezikshëm për shoqërinë, ish­denoncuesin e tij që e kalbi në burg apo një vrasës, nuk do ta kishte të lehtë përgjigjen.
 
Po të pyetej një familje e përndjekur se kush e kërcënon më shumë, ish­operativi i zonës apo një trafikant droge dhe prostitucioni në lagjen e tij nuk besoj se do të hezitonte të tregonte gishtin nga të dytët.
 
Ju nuk mund të mburreni kurrsesi se po i bëni një shërbim shoqërisë duke zbardhur gjoja krimet e para 30 vjetëve sado të rënda të kenë qenë ato dhe të tilla kanë qenë, ndërkohë që e keni mbushur këtë sallë me individë me dy apo më me shumë emra të cilët vetëm pak kohë më parë ishin tutorë prostitutash apo plaçkitës banesash në Belgjikë, Gjermani, Itali apo gjetkë. Në fakt parlamenti është vendi ku ata shkëlqejnë më shumë, por nuk është trualli i vetëm ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre si njerëz të botës së errët të krimit të organizuar. Vetëm PD ka denoncuar dhjetra raste të përfshirjes së personave të inkriminuar në administratë. Por opozita nuk mund ti dijë të gjitha.
 
Që do të thotë se kjo është epidemi e rrezikshme që erdhi bashkë me këtë mazhorancë pas 23 qershorit. Mirë dosjet e sigurimit po i zgjidhkemi sot, po dosjet e këtyre kush do ti hapë?!

Të nderuar zotëri, jeni duke i bërë gjëmën këtij vendi. E them me bindjen më të plotë, jo thjesht për faktin se ekonomia është në rënie të lirë, varfëria është shtuardhe papunësia po rritet me shpejtësi por sepse jeni duke vrarë përditë shpresën se Shqipëria do të bëhet një herë një vend normal. Ndaj dhe shqiptarët nxitojnë të largohen përditë. Jeni përgjegjës direkt për këtë eksod masiv. Sepse këtu ishin ata edhe kur u liberalizuan vizat dhe ikën. Tani e kuptuan ata se në Gjermani jetohet më mirë se në vendin e tyre? Shqipëria ka qenë ndoshta më e varfër para disa vitesh, por ju po i rrëzoni kësaj shoqërie edhe skrupujt më minimal etikë dhe moralë. Tani pak nga pak po krijohet ideja se të vrasësh, të trafikosh drogë dhe prostituta nuk është më turp, por madje mund të konsiderohesh djalë i zoti. Tani kriminelët konsiderohen të mirë dhe të këqinj, të mirë ata që e kanë mirë me qeverinë, të këqinj janë ata që dalin kundër.
 
Dy deputetët që i mungojnë sot apelit të kësaj mazhorance ishin “ viktima”në njëfarë mënyrë të këtij seleksionimi brenda llojit. Ata u shndërruan papritur në mëngjes në armiq të betuar, ndërkohë që në darkë kishin rënë të flinin si heronj të kësaj qeverie dhe mazhorance. Dhe ndoshta të tillë do të ishin parpë nëse nuk do ta kishin kruajtur me Kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Është më shumë se paturpësi që ta quash këtë dekriminalzim.
 
Ndaj dhe gjitha ata shqiptarë që nuk e ndjejnë veten të aftë për zotësi të tilla që të bëjnë deputet apo drejtor të madh përmes krimit nxitojnë t’ia mbathin. Natyrisht që në këtë depresion kombëtar edhe ne kemi rolin tonë, ndonëse qeveria është gjithmonë problemi. Edhe ne duhet të bëjmë më shumë që çdo qytetar i zhgënjyer nga kjo qeveri, me plot të drejtë, të besojë fort te opozita dhe të mos e gjejë shpëtimin te arratia. Por kjo është temë tjetër.
 
Shumë nga shqiptarët që braktisin familjen dhe vendin e tyre sot ndoshta nuk kanë jetuar asnjë ditë në komunizëm sepse janë fare të rinj. A mund tu thuash atyre se në këtë vend po vendoset drejtësia se po hapen dosjet e sigurimit të shtetit? A është ky argument që ata të kthehen? Sigurisht që jo. Sepse ata e dinë se pavarësisht se dosjet e sigurimit mund të hapen, në rast se, dosjet e banditëve të lagjes së tij dhe kryebanditëve që janë bërë të mëdhenj sot nuk do të hapen kurrë. Ndaj dhe ata nuk kanë më asnjë shpresë, ndaj dhe nxitojnë e largohen.
 
Ata nuk mund ti gënjejmë dot me rrugën Tiranë­Rinas, që është dhe simbolika më elokuente e mënyrës si është qeverisur në këto dy vite. Janë vetëm 10 km rrugë me drita të bardha dhe të kuqe, me palma, me asfalt riveshur, me lule, me gjëlbërim, por edhe aty hajdutët nuk ia përtojnë dhe të grabisin në mes të ditës. Janë harxhuar me miliona dollarë për këtë vitrinë të qeverisë. Por për çudi asnjë cm më shumë asfalt nuk shtrohet, ndonëse autostrada Tiranë­ Durrës është e gjitha e amortizuar.
 
Sepse kjo qeveri nuk ka para për rrugë, as për ujësjellësa, as për shkolla, por ka para për reklama. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës me të cilën do të gënjejë apo të blejë ndoshta ndonjë gazetar të huaj që mbase bën ndonjë reportazh optimist njësoj si dikur kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe leu me bojëra të ndezuara fasadat e pallateve.
 
Unë mendoj se sado drita dhe lule të ketë në rrugën Tiranë­Rinas nuk do ti bëjë më të lumtur ata që nuk kanë mundësi të pagujnë faturat e kripura të energjisë, ata që kanë humbur çdo shpres ë për një vend pune, ata që kanë rënë pre e dhunës së paligjshme të shtetit policor. Ndaj ata do vazhdojnë të ikin pa e kthyer kokën pas.
 
Por Shqipëria rrugës Tiranë­Rinas përveçse irrituese për këtë vend që i shtohen në progres gjeometrik hallet, është edhe poshtërim për qindra,mijëra shqiptarë që ndodhen në vështirësi ekstreme. Sepse është një politikë fyese që i konsideron ata si dele që gënjehen lehtë. Mjafton që të shikojnë pas xhamave barin jeshil dhe palmat për të harruar fëmijët që nuk kanë me çfarë t’i ushqejnë.
 
Është njësoj si ti thuash dikujt që ka marrë pjesë në funeral sesa e bukur ishte rruga që të çon në varreza. E di që këtë problemin e funeralit e keni shqetësim, por gjithsesi ua kujtova. Kjo është e vetmja qeveri që i konsideron punëtorë Ministrat se flasin gjithë ditën dhe u kërkon deputetëve që të punojnë sepse sipas saj ata as nuk duhet tëflasin.
 
Madje edhe ky ligj hipokrit dhe tinzar që nuk sjell asnjë vlerë dhe asgjë të mirë për shoqërinë konsiderohet si një nga veprat e mëdha të një Ministri të suksesshëmë, i cili se është i tillë ka vendosur të kandidojë për Kryetar bashkie. Por ndënëse ju tashmë keni vendosur ta miratoni, unë gjithsesi po ju jap një këshillë:Mbase do ju interesonte më shumë të mos i hapnit dosjet, sepse mund ta kishit shpallur agjent të sigurimit të shtetit edhe Ben Blushin, apo ndonjë deputet tjetër që do guxonte ti prishte gjumin Kryeministrit. Opozitën po e po.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Bosnje, vijojnë kërkimet për 40 të zhdukur! Kroacia ofron 10 milionë euro për ndihmë urgjente! Në 

Përmbytjet në Bosnje, vijojnë kërkimet për 40 të zhdukur! Kroacia ofron 10 milionë euro për ndihmë urgjente! Në