Ligji për vullnetarizmin, parlamenti
miraton projektligjin e LSI-së

Ligji për vullnetarizmin, parlamenti<br />miraton projektligjin e LSI-së
Kuvendi miratoi projektligjin për "Vullnetarizmin në Shqipëri", nismë e deputeteve, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka.
 
Deputetja nismëtare e këtij projektligji, Kejdi Mehmetaj deklaroi se nisma ka për qëllim rregullimin ligjor të vullnetarizmit me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së individëve në jetën sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet si dhe zhvillimin e vlerave të solidaritet njerëzor.
 
Për hartimin këtij projektligji, Mehmetaj, deklaroi se  janë ndjekur modele të ngjashme ne rajon duke zbatuar edhe udhëzimet e Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara të cilat i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme politikat mbi vullnetarizmin.
 
Mehmetaj theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të promovuar dhe zhvilluar vullnetarizmin, po aq, sa vendet fqinje si Mali Zi, Maqedonia, Kroacia, Serbia e të tjerë.
 
Duke sqaruar se ky projektligj megjithëse mund të ketë konotacion rinor, është për të gjithë qytetarët, Mehmetaj, evidentoi se aktualisht në vendin tonë, mungesa e një strategjie për nxitjen e vullnetarizmi dhe e një kornize ligjore e bën të vështirë zhvillimin e vullnetarizmi.
 
Kemi një shtim të ndërgjegjësimit të komunitetit, por me shumë pak orientim, me shumë pak lidhje, me shumë pak komunikim dhe me shumë pak informacione se si duhet kryer ky proces. Vlen për t’u theksuar fakti se ka një mungesë të të dhënave statistikore zyrtare. Megjithatë, nga studime të organizatave serioze rezulton se së paku një në pesë të rinj në Shqipëri angazhohet në punë vullnetare. Gjithashtu organizatat që funksionojnë në bazë të vullnetarizmit thonë se punojnë me një numër të konsiderueshëm vullnetarësh nga të gjitha bashkitë e vendit dhe se puna e tyre dhe pse e papaguar është e çmuar për komunitetin. E me gjithë dëshirën për të kontribuar për shkak të mungesës së një rregullatori, institucionet tona i kanë dyert e tyre të mbyllura për vullnetarët. Ata që janë të organizuar si vullnetarë, nuk vlerësohen dhe eksperienca e tyre nuk quhet, puna e tyre nuk është e mbrojtur dhe as e kontrolluar”, tha Mehmetaj.
 
Për deputeten e LSI-së, miratimi i këtij projektligji do t’i japë të gjitha palëve të interesuara në vullnetarizëm, sigurinë e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, por njëkohësisht edhe mundësinë e promovimit të punës vullnetare.
 
Rëndësia që ka vullnetarizmi për një shtet është aq e madhe sa ndikon edhe në rritjen e prodhimi të brendshëm bruto të vendit, si në rastin për shembull të Anglisë, ku vullnetarizmi përbën 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Në këtë kuadër, një tjetër ndikim që ka vullnetarizmi në ekonominë e një vendi shprehet nëpërmjet influencës së tij pozitive në uljen e papunësisë. Vullnetarizmi shërben si një ndërmjetës për të gjithë individët që dëshirojnë të përfitojnë aftësitë të ndryshme profesionale, nëpërmjet punës vullnetare. Vullnetarët kanë mundësinë të ofrojnë ndihmën e tyre në fusha të ndryshme si: shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale etj, duke përfituar në të njëjtën kohë eksperiencën dhe rritjen profesionale”, tha Mehmetaj duke shtuar se vullnetarizmi në vetvete ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shëndetin fizik.
 
Gjithashtu, deputetja Mehmetaj deklaroi se impakti social i punës vullnetare shërben për forcimin e lidhjeve sociale , ndërtimin e një komuniteti të fortë dhe të bashkuar, rritjen e angazhimit civil si dhe shpërndarjen e të mirave dhe shërbimeve publike.
 
Ky projektligj në asnjë moment nuk detyron dikë të kryejë punë vullnetare. Në të thuhet shprehimisht se “vullnetarizmi është investim me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve vullnetare, në dobi të ofruesit dhe/ose përfituesit të vullnetarizmit. Ai kryhet pa pagesë ose ndonjë përfitim tjetër financiar. Vullnetarizmi ofrohet për të mirën publike në mënyrë individuale, spontane dhe të lirë. Në ligj trajtohen detyrat dhe evidentohen të drejtat e të gjitha palëve të përfshira në vullnetarizmi duke bërë më të thjeshtë bashkëveprimin ndërmjet tyre”, tha Mehmetaj.
 
Në vijim të fjalës së saj, deputetja Mehmetaj sqaroi se rastet e përfundimit të kontratës , zgjidhjes së saj, efektet dhe kompensimet në raste të ndryshme janë të përcaktuara në ligj. Në projektligj janë parashikuar edhe rastet e vullnetarit të huaj dhe të vullnetarit të mitur, ku tashmë, nëpërmjet librezës së vullnetarizmit, puna e tyre do të njihet zyrtarisht dhe njëkohësisht atyre u sigurohet një kontratë e sigurimit shëndetësor.
 
Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se për nismën e sotme është punuar në një kohë të gjatë, dhe konsultimi me disa institucione ndërkombëtare ka qenë një nga dimensionet më pozitive që ajo ka.
 
Vasili vlerësoi se projektligji i ri ka një ngjyrim shumë të fortë social.
 
Duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze, dhe njëkohësisht duhet  parë si një veprimtari shumë e shëndetshme e cila sigurisht del jashtë asaj suaze të debatit të zakonshëm politik që ne jemi mësuar të bëjmë, i cili është një debat shpesh herë i egër, por që në fund të ditës nuk ka prodhuar rezultate, duke na dhënë sigurisht një produkt në dorë, i cili ka të bëjë me orientimin e  shoqërisë, por dhe vullnetet dhe forcat më të mira të saj, e kryesisht të të të rinjve, në veprimtari shumë të dobishme, të cilat i shëndoshin ata, qoftë nga pikëpamja sociale, por njëkohësisht i udhëheqin në rrugë të cilat i largojnë nga ato fenomenologji negative me të cilat shoqëria jonë është përballur dhe përballet vazhdimisht, të cilat kanë të bëjnë edhe me krimin, kanë të bëjnë edhe me përdorimin e drogës, por edhe të veseve të tjera të cilat sigurisht e plagosin dhe e rëndojnë shoqërinë tonë”, tha Vasili.
 
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së theksoi se të gjitha rregullimet e bëra, qoftë sistemimi, qoftë evidentimi i kontributeve, qoftë edhe përfshirja në këtë veprimtari dhe regjistrimi i saj e i strukturave përkatëse të punësimit, jep një dimension krejtësisht të ri të këtij fenomeni tashmë shumë të përhapur në gjithë botën e qytetëruar.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora